"Para se Danieli t'i vriste Vilsoni dhe Klementi e rrahën", detaje nga dita e krimit në Malësinë e Madhe
Tashmë kur kanë kaluar 10 ditë nga vrasja e të rinjve Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Malësinë e Madhe, detaje të reja mësohen rreth ditës së ngjarjes, ku autori i krimit të dyfishtë është rrahur fillimisht nga viktimat e tij.

Vëllai i Vilson Çutajt, Olsiani ka treguar sherrin mes të rinjve në lokal, rrahjen e Danielit dhe konfliktin që ka nisur për një sasi kanabisi. Çutaj, që ishte dhe i pari që bëri denoncimin për zhdukjen e të rinjve në Polici, pranon se i vëllai i tij dhe kushëriri Klementi, e kanë rrahur Danielin në makinë, dhe më pas ai i ka tërhequr në kurth duke i vrarë në mal.

“Vilsonit dhe Klementit i kishin vjedhur një parcelë me kanabis. Shkuan te shtëpia e Danielit për ta takuar, u ndalën në lokal për të pirë birra, dhe më pas u ngjitën në mal. Vilsoni dhe Klementi e rrahën Danielin në makinë, dhe më pas ai i tërhoqi në kurth, duke i vrarë në mal”, mësohet të jetë shprehur Olsian Çutaj.

Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, u gjetën të vrarë 5 ditë nga ekzekutimi i tyre, ndërkohë që për Daniel Pepajn, ende nuk ka detaje të sakta për vendodhjen pas krimit. Ndërkohë policia ka arrestuar të atin e tij, Rrokun, që sipas hetuesve ka qenë në dijeni të parcelës së kanabisit, dhe është nën hetim për kultivim të narkotikëve.
Shtuar më 13/10/2020, ora 08:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori