Para kokaine, sekuestrohet pasuria 10 milionë euro e biznesmenit në Tiranë
Pëlqej
10 milion euro prona, janë sekuestruar nga Policia e Shtetit me akuzën se janë para që vijnë nga kokaina në Kolumbi.

Pronat e kompanisë së ndërtimit janë regjistruar në emër të Luan Spahiut 53 vjeç banues në Tiranë, bëjnë me dije burime nga policia.

Spahiu rezulton i dënuar edhe më herët në vitin 2011 me 5 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike nga Gjykata e Frajbugut.

Sipas burimeve të policisë, Spahiu është dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Paratë e fituara nga kjo linjë e trafikut të kokainës, Spahiu i kishte investuar në kompaninë e ndërtimit “Pinari” në Tiranë, si dhe në disa troje ndërtimi dhe sipërfaqe toke në Selitë e në rrugën “Naim Frashëri”.

Spahiu kishte ndërtuar një kompleks banimi të cilin kishte arritur ta shiste pjesërisht. Pas hetimit të Prokurorisë, Gjykata vendosi që 32 apartamente me sipërfaqe 3400 m2 të sekuestrohen shkruan Panorama.

Sekuestro u vendos edhe mbi tri njësi tregtare në të njëjtin kompleks, me sipërfaqe 230 m2. Po ashtu një vilë tri katëshe në rrugën “Hoxha Tahsim”, me sipërfaqe 340 m2, si dhe disa garazhde u sekuestruan. Gjykata vendosi të njëjtën masë për dy sipërfaqe trojesh në rrugën “Naim Frashëri” dhe në Selitë, përkatësisht 5600 metra dhe 18 mijë m2, si dhe tri automjete të shtrenjta.

Asetet e kompanisë Pinari dhe llogaritë bankare të kësaj kompanie, të Luan Spahiut dhe të të afërmeve të tij, u bllokuan deri në përfundim të procesit gjyqësor që pritet të zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Shtuar më 20/03/2018, ora 21:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori