Para droge? Sekuestrohet llogaria e vlonjatit me 531 mijë dollar
Një llogari bankare me 531 mijë dollarë në një bankë të nivelit të dytë në Vlorë, është vënë nën sekuestro, pasi dyshohet se janë para të krijuara nga aktivitete kriminale.

Policia e Vlorës thotë se në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si dhe sekuestrimit të pasurisë që rrjedh nga veprimtaria kriminale, në vitin 2017 është hapur procedimi penal i regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” për hetime të pasurisë së shtetasit A.I.A.

Sekuestroja e llogarisë bankare është bërë gjatë ditës së sotme, si rezultat i vijimeve të veprimeve të kryera, nga Sektori për hetimin e krimit ekonomik- financiar pranë Drejtorisë së Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Më konkretisht është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Vlorës, i dhënë gjatë ditës së djeshme, e mërkurë.

Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi llogaritë bankarë të shtetasit A.I.A., në një bankë të nivelit të dytë për shumën 531.031 dollarë. /albeu.com/

Shtuar më 10/08/2017, ora 10:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori