Papulias refuzon takimin me Moisiun
Albeu.com
Presidenti grek, nën preteksin e një proteste të shoqatës “Çamëria”, anulon takimin me homologun shqiptar.Ora 10.00
Rreth 300 përfaqësues të shoqatës “Çamëria” protestojnë para hotel “Butrintit”, ku do të mbahej takimi mes dy presidentëve

Ora 10.30
Presidenti Moisiu mbërrin në hotel “Butrinti”, ku do të zhvillohej takimi i parashikuar sipas axhendës së përcaktuar që më 28 mars në Janinë

Ora 10.00-12.30
Presidenti grek, Papulias, kthehet papritur në Gjiroksatër dhe në konsullatën greke takohet me kryetarin e OMINIA-s, kreun e Prefekturës dhe atë të Këshillit të Qarkut.

Ora 12.00
Mediat greke japin lajmin se presidenti grek ka anuluar takimin me homologun shqiptar, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të protestës çame.

Ora 12.30
Presidenti Moisiu i telefon presidentit grek që është në konsullatë. dhe i kërkon arsyet e mosardhjes në takim. Papulias i është përgjigjur: Për arsye sigurie.

Ora 13.47
Presidenti grek, Papulias, pa njoftuar për anulimin e takimin, merr rrugën e kthimit për në Greqi nëpërmjet Kakavijës. Anulimin e takimit e njofton protokolli grek.

Ora 14.30
Zëdhënësja e presidentit, Afërdita Sokoli, e quan anulimin e takimit nga pala greke të nxituar dhe të pajustifikueshëm. Ajo tha se ky ishte një incident i paprecedent.

TIRANË- Anulohet në mënyrë të papritur takimi i parashikuar mes dy presidentëve, të Shqipërisë dhe Greqisë. Takimi i dytë mes dy presidentëve, pas atij të zhvilluar më 28 mars në Janinë, është anuluar dje nga pala greke, për shkak të protestës së zhvilluar nga shoqata ”Camëria” përpara hotel “Butrintit” në Sarandë, aty ku do të zhvillohej edhe takimi me presidentin Moisiu. Ndërsa presidenti shqiptar kishte mbërritur në hotel “Butrini” në Sarandë, (në orën 10.30) homologu i tij grek, Karolos Papulias, ka ndaluar në konsullatën greke në Gjirokastër. Ndalesa e tij mendohet të jetë kryer si rezultat i informacionit, që pala greke kishte marrë se qindra përfaqësues të shoqatës atdhetare ”Çamëria”, po protestonin përballë hotel ”Butrintit”, pikërisht në orën 10.00, një orë para se të fillonte takimi i programuar. Në Gjirokastër, presidenti grek, i shoqëruar edhe nga ambasadori grek në Tiranë, Pandelis Karkabasis, ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të minoritetit grek dhe ndalesa e tij ka zgjatur plot dy orë e gjysmë (10.00-12.30). Në orën 13.47 presidenti Papulias është kthyer në mënyrë krejtësisht të papritur në Greqi, duke refuzuar takimin me justifikimin “për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë që paraqiste protesta çame”. Në fakt, presidenti grek, Papulias, e kishte vendosur që në orën 12.00 që të anulonte takimin me presidentin Alfred Moisiu, edhe pse ky i fundit kishte me tepër së një ore që e priste ne Sarandë për të zhvilluar takimin. Presidenti Alfred Moisiu është njoftuar përmes një telefonate të zhvilluar me homologun e tij grek për anulimin e vizitës. Ndërkohë që publikisht anulimi i takimit u njoftua nga mediat private greke, të cilat në orën 12.00 njoftonin se presidenti Papulias nuk do të zhvillonte takimin, për shkak të protestës çame. Sipas axhendës paraprake, presidenti grek Karolos Papulias dhe ai shqiptar, Alfred Moisiu, do të zhvillonin një takim informal dje në ambientet e hotel “Butrintit”, me ftesë të presidentit Alfred Moisiu. Me pas ishte parashikuar të zhvillohej edhe një konferencë e përbashkët për shtyp dhe pas përfundimit të saj, ishte parashikuar edhe një vizitë në qytetin antik të Butrintit. Me pas presidenti grek Papulias, do të kthehej në Greqi, përmes portit të Sarandës, me destinacion Korfuzin.
Reagimi
Anulimi i papritur i vizitës së presidentit grek, Karolos Papulias, ka sjellë edhe reagimin e menjehërshem të presidentit Alfred Moisiu, përmes zëdhënëses Afërdita Sokoli. Pak minuta pasi presidenti grek kaloi kufirin shqiptar nga Kakavija, (ora 14.30) zëdhënësja Sokoli ka reaguar, duke e cilësuar anulimin e vizitës si të pajustifikueshëm. ”Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen e thellë për këtë vendim të nxituar dhe të pashpjegueshëm të palës greke, bazuar mbi keqinformimin, megjithatë sigurimet e palës shqiptare se kjo ishte një demonstrim paqësor në përmasa të papërfillshme dhe nën masa të plota sigurie”, - tha ajo. Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, i kontaktuar me telefon nga presidenti Alfred Moisiu për ngjarjen e ndodhur, doli në një konference për shtyp për të sqaruar pozicionin e qeverisë shqiptare kundrejt lejes që ishte dhënë për zhvillimin e protestës çame. ”Dua të siguroj se qeveria shqiptare kishte marrë të gjitha masat e nevojshme që manifestimi të mos i kapërcente caqet e parashikuara dhe në momentin që janë marrë të gjitha masat, nuk ka justifikim të anulimit të një vizite të këtij niveli, qoftë edhe të një takimi formal”, - sqaroi dje Mustafaj. Por nuk është parë në këtë këndvështrim nga përfaqësuesit e qeverisë greke. Mediat greke njoftuan dje pas anulimit të vizitës, një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. Pikërisht kanali televiziv ERT, njoftoi se zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jorgos Kumucakos, ka deklaruar se qeveria shqiptare duhet të mbajë qëndrim ndaj ”elementëve ekstremistë”, duke lënë të kuptohet se e kishte fjalën për pjesëmarrësit e protestës. Po dje mbasdite mediat greke citonin një deklaratë të Presidencës greke, të cilët e cilësonin të papranueshme sjelljen e organeve shqiptare gjatë vizitës së presidentit grek në Shqipëri.


Mediat greke: Takimi, nuk ishin marrë masat e sigurisë
Që në momentin që presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, anuloi takimin e programuar me presidentin Alfred Moisiu, mediat greke fajësuan autoritetet shqiptare për mossigurinë e takimit të parashikuar. Fajin, sipas tyre, e kanë autoritetet shqiptare, të cilat nuk kanë marrë masat e duhura për sigurinë e kësaj vizite. Sipas mediave private greke, autoritetet policore të Sarandës nuk duhet që t’i jepnin leje protestuesve pikërisht ditën e vizitës së presidentit grek në Shqipëri. Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jorgos Kumucakos, ka deklaruar gjatë një interviste për TV ‘’ERT”, se qeveria shqiptare duhet të mbajë qëndrim ndaj elementeve ekstremistë, duke lënë të kuptohet për pjesëmarrësit e protestës. Po dje mbasdite mediat greke citonin një deklaratë të Presidencës greke, sipas së cilës, cilësohej e papranueshme sjellja e organeve shqiptare gjatë vizitës së presidentit grek në Shqipëri.
Nevila Perndoj, Shekulli
Shtuar më 02/11/2005, ora 16:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori