Pano: Pse deshtoi Mekkejn?
Pëlqej
Albeu.com
Sarah Palin, shënoi edhe dështimin e kandidatit republikan, Mccain për postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Kështu ka deklaruar në seminarin e organizuar në Universitetin Epoka, Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë mbi çështjet e Ballkanit, Nicholas Pano,I ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Univeristeti Epoka lidhur me zhvillimet dhe politikat në Ballkanin Perëndimor, 72 vjeçari me origjinë shqiptare, Nicholas Pano, ka komentuar sfidat me të cilat presidenti i ri amerikan, Barak Obama do të ndeshet në vitet në vazhdim. Anëtarë i Partisë dhe Administratës Republikane, ai pasi ka analizuar dy kandidatët që kanë dalë para zgjedhësve amerikanë, bëri të ditur se kësaj radhë ka mbështetur demokratin Obama. Sipas tij, pavarësisht aftësive të John McCain, republikanët gabuan në kandidaturën e tyre. Pano thotë se tre janë shkaqet kryesore që çuan në humbjen e McCain. “E para, McCain nuk kishte politika të qarta financiare, në një kohë kur kriza ekonomike kishte pushtuar mbarë kontinentin. Shkaku i dytë dhe ndoshta më i rëndësishëm, ishte kandidatura e Sarah palin për zëvendëspresidente të SHBA-ve. Kjo është një grua e bukur, por pa asnjë lloj eksperience për të qenë numri dy i SHBA-ve. Populli amerikan dyshonte mbi aftësitë e Palin, gjë kjo që dëmtoi mjaft edhe fushatën. Një tjetër pengesë mjaft e madhe për McCain, ishte mosha e tij. 72 vjeçari po vihej përballë një 46 vjeçari dinamik e që mbështetej nga rinia amerikane”, tha Pano.

Duke komentuar fushatën e Barak Obamës, pano u shpreh se kjo ka qenë fushata më e madhe e një kandidati për president në SHBA. “Gjithçka ka qenë perfekte. Obama harxhoi 605 milion dollarë kundrejt 300 milionëve të McCain”, tha ai.

Një faktor që ndihmoi Obamën, sipas Panos, është edhe rritja e popullsisë me ngjyrë dhe atyre afrikano amerikan në kontinent. Sipas tij, studimet tregojnë se në vitin 2050, popullsia e bardhë do të jetë minorancë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Popullsia me ngjyrë ka një rol mjaft të madh në fitoren e Obamës. Ky i fundit, nga ana tjetër, është jo vetëm inteligjent, por edhe mjaft bashkëpunues me të tjerët. Këtë arriti tua tregojë edhe të tjerëve. Mesazhi që ai dha ishte: Shpresë dhe Ndryshim. Ai përdori çdo mundësi reale, internetin, youtube-in, facebook-un etj, duke bërë që demokratët për herë të parë pas vitit 1995 të kenë nën kontroll administratën amerikane.”.

Por sipas Panos, të tjera sfida do të presin presidentin Obama. “Atij i duhet të shuajë dallimet midis senatorëve demokratë që shfaqin qëndrime të ndryshme. Duhet të konkretizojë premtimet e dhëna për daljen nga kriza. Një tjetër mjaft i rëndësishëm është çështja e abortit, martesa midis personave me të njëjtin seks dhe të drejtat e tyre. Iraku dhe Lindja e Mesme nga ana tjetër janë një tjetër sfidë për të. Atij i duhet të jetë i qartë në politikat me Moskën, Teheranin dhe Korenë e Veriut. Lufta kundër terrorit etj janë sfidat që presin zotin Obama”, vijoi profesor Pano.

Lidhur me marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, ai u shpreh se përsa kohë që Tirana zyrtare nuk do të prish sinqeritetin në këto lidhje, SHBA-të nuk duket se do të ndryshojnë politikë. “Administrata e Bush ka vlerësuar mjaft rolin e Shqipërisë përkrah forcave paqeruajtëse në Irak, Afganistan etj. Nuk duhet që të prishte ky imazh i mirë ndaj Shqipërisë, prandaj edhe nevojitet që Tirana zyrtare të tregohet e sinqertë në politikat e saj”, tha ai.
Shtuar më 06/11/2008, ora 21:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori