Pango: Është shpejt për ndyshime, koha do diferencojë kush ministër punon
Albeu.com
Deputeti i Partisë Demokratike, Ylli Pango, në një intervistë për “Metropol”, thekson se është ende herët për të deklaruar nëse duhen bërë ndryshime të ministrave apo jo. Ai thekson se tashmë janë duke u hedhur themelet e një shteti dhe më pas do të ecet me çështjet e tjera.Duke iu referuar deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PD, Bamir Topi, Pango tha se “ai ka vënë në dukje diçka që, në fund të fundit, në çdo shoqëri njerëzore dhe në çdo garë, po ta quaj kështu, është krejtësisht reale, nuk ka kurrë si të thuash renditje të barabarta, por gjithmonë ka diferenca. Pra, dikush vrapon më shpejt, dikush vrapon më ngadalë. Sa më tepër të kalojë koha, aq më tepër do të thellohen këto diferenca dhe aq më tepër do të dallohen ata që rendin më shpejt dhe ata që mbeten më pas. Në këtë sens, z.Topi ka vënë në dukje se ekzistojnë diferenca dhe diferencat padyshim janë natyrale”. Ndërsa në lidhje me shtimin e numrit të ministrave, propozim i bërë nga Spartak Ngjela, Pango deklarohet totalisht kundër. “Absolutisht jo. Ajo është në platformën elektorale, është në premtimet e PD në zgjedhjet e 3 korrikut që qeveria duhet të jetë një qeveri dinamike, e shkurtuar në numër ministrash dhe në dietë, në sensin e shpenzimeve”, tha në lidhje me këtë pikë Pango.

Zoti Pango, si i shikoni deklaratat e fundit për ndryshime në qeveri dhe për nisjen e një analize mbi rezultatet e deritanishme?

Vlerësimet për qeverinë më mirë se të gjithë i bën ai që punon për qeverinë, pra Kryeministri dhe vetë ministrat. E dyta, që është shumë e rëndësishme është ajo që është shumë shpejt për të diskutuar për punën e një qeverie, sepse puna e saj, sidomos pas 8 vjetësh opozitë, është jo fort e lehtë. Fillimisht shtrohen themelet, pastaj hidhen piketa, dhe rezultati është në të ardhmen, kuptohet të afërme, por që kërkojnë së paku disa muaj. Aksioma ime është kjo, që në një qeveri të gjatë, siç parashikojmë neve të kemi do të ketë vend për të gjithë, jo vetëm në qeveri, por do të ketë vend në shumë fusha, pasi pushteti është shumë i gjerë, multidimensional. Prandaj njerëzit, veçanërisht mediat është mirë që të mos përqëndrohen te postet e ministrave, pasi këto janë pozicione shumë të kufizuara, gjithsej 10 për partinë që është në mazhorancë, pra PD, dhe 4 janë aleatët. Duke qenë se janë të gjithsej 10, është vështirë që të kënaqen gjithë kërkesat, siç ka thënë edhe Kryeministri, janë gjithsej, 30-40 potenciale të mundshëm për kabinetin qeveritar. Pra, ka pak mundësi zgjedhjeje dhe koha do të vazhdojë të vërtetojë se sa të sakta janë zgjedhjet, por njëkohësisht do t’u jepte mundësinë njerëzve dhe ministrave që të shprehen në aftësitë e tyre, në potencialin e tyre.

Debati i nisur nga Topi, i cili i quajti ministrat apatikë, ndërsa Berisha e vlerësoi si një përpjekje për të zënë poste ministrore...

Z.Topi, si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, ka të drejtë të japë mendim dhe të gjykoj për punn e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Por, në fund të fundit, ne jemi një parti demokratike, një parti që ka principet e demokracisë, ku mendimet shprehen. Megjithatë, mendoj se z.Topi nuk ka dashur të shprehë atë që është interpretuar nga media, sipas të cilave duhet të bëhen ndërrime në qeveri. Ai ka vënë në dukje diçka që, në fund të fundit, në çdo shoqëri njerëzore dhe në çdo garë, po ta quaj kështu, është krejtësisht reale, nuk ka kurrë si të thuash renditje të barabarta, por gjithmonë ka diferenca. Pra, dikush vrapon më shpejt, dikush vrapon më ngadalë. Sa më tepër të kalojë koha, aq më tepër do të thellohen këto diferenca dhe aq më tepër do të dallohen ata që rendin më shpejt dhe ata që mbeten më pas. Në këtë sens, z.Topi ka vënë në dukje se ekzistojnë diferenca dhe diferencat padyshim janë natyrale.

Deklarimet e kundërta për këtë çështje mes Berishës dhe Topit, duket se ka krijuar një konflikt mes PD-së.

Jo, jo, jo, absolutisht jo. Ne u mblodhëm edhe herët e fundit në grupin parlamentar të PD-së, është vërtet një frymë shumë e mirë, e një familjeje të shëndoshë politike e që i ka vënë detyra të mëdha vetes. Do të ishte naive që në 4-5 muajt e parë të fillonin sherret për pozicionet, aq më shumë që ka njerëz me pjekuri politike që e kuptojnë që janë shumë gjëra përpara për t’u realizuar. Kështuqë, më duket shumë absurde kjo dhe disi e nxituar. Raportet brenda grupit parlamentar të PD-së janë shumë pozitive.

Është hedhur ideja për shtimin e numrit të ministrave?

Absolutisht jo. Ajo është në platformën elektorale, është në premtimet e PD në zgjedhjet e 3 korrikut që qeveria duhet të jetë një qeveri dinamike, e shkurtuar në numër ministrash dhe në dietë, në sensin e shpenzimeve. Duke qenë e tillë, nuk mund të ndryshojë ky parim dhe ky premtim pas 5 muajsh apo pas një viti. Absolutisht në gjithë qeverisjen tonë do të jetë ky numër ministrash dhe është në përputhje me disa nga parimet liberale të qeverisjes së PD-së, pasi dihet se qeveritë e tipit mekanikist, apo qeveritë, të cilat bazohen në një kontroll apo përqëndrim të pushtetit gjithnjë e më të madh te qeveria nuk janë në konceptin tonë. Pra, ne duke e bazuar edhe në decentralizimin, duke e bazuar edhe në një demokraci të gjerë, duke zgjedhur faktin që parimet liberale, të cilat janë të përqafuara edhe nga një pjesë e këshilltarëve të Kryeministrit, apo edhe nga një pjesë e anëtarëve të kabinetit, shkojnë në përputhje me një qeveri komode në sensin e numrit të zhdërvjelltë dhe me pak ngarkesa.

Intervistoi Albana Lika, Gazeta Metropol
Shtuar më 25/01/2006, ora 11:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori