Panariti me ambasadorët: TAP, projekt strategjik për rajonin
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti zhvilloi sot një takim me ambasadorët e Italisë dhe Greqisë, Massimo Gaiani dhe Leonidas Rokanas, vendet e të cilëve janë pjesë e projektit TAP.

Gjatë takimit theksi u vu tek nënshkrimi i marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit "Trans Adriatic Pipeline". "Të tre zyrtarët e vlerësuan këtë arritje si rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer mes qeverive të të tre vendeve, bashkëpunim i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të gjitha drejtimet", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

Panariti theksoi rëndësinë e përpunimit të një axhende të përbashkët, mes tre vendeve, për çuarjen përpara të projektit TAP. Sipas tij, "ky projekt do të jetë një urë e rëndësishme që do të lidhë më shumë Shqipërinë me dy vende anëtare të BE-së, si dhe do të forcojë më tej vizionin e përbashkët për bashkëpunim dhe integrimin evropian".

Në 13 shkurt në Athinë u firmos nga 3 ministrat e Energjitikës së 3 shteteve, që janë përfshirë nga ky projekt, marrëveshja që i hap rrugë ngritjes së tij. /albeu.com/
Shtuar më 15/02/2013, ora 13:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori