Panariti - Malkawi: Të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh
Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë në Republikën e Shqipërisë, me rezidencë në Athinë Saker Malkawi, i cili ndodhet në vendin tonë me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Ministri Panariti e përgëzoi Ambasadorin Malkawi për marrjen e detyrës dhe i uroi suksese në misionin e tij. Bashkëbiseduesit konfirmuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jordanisë, si dhe u angazhuan për t’i dhënë një shtysë cilësisht të re dinamikës së zhvillimit të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë. Palët ranë dakord që së shpejti të fillojë puna për plotësimin e kuadrit ligjor dypalësh, i cili krijon infrastrukturën e nevojshme për konkretizimin e këtij bashkëpunimi.

Ministri Panariti vlerësoi lart rolin e Jordanisë në përballimin e fluksit të lartë të refugjatëve sirianë, të cilët po strehohen në kampet jordaneze si pasojë e situatës së dhunshme që Siria po përjeton prej më shumë se një viti. /albeu.com/
Shtuar më 24/10/2012, ora 12:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori