Kreu i kartelit të drogës, GJK shfuqizon vendimin për ekstradimin e Gentian Manajt drejt Italisë

Shfuqizohet vendimi për ekstradimin në Itali të kreu i kartelit të drogës Gentian Manaj, i cilësuar si kreu i ‘Los Blancos’.

Gjykata e Lartë kishte vendosur ekstradimin drejt shtetit fqinj të Manajt, por Kushtetuesja mori vendimin që çështja të dërgohej për rishqyrtim. Manaj akuzohet se ka drejtuar një kartel droge, ndërsa ai u arrestua në Shqipëri si pjesë e operacionit “Los Blancos” dhe që merrej me menaxhimin dhe transferimin e parave midis grupeve të ndryshme kriminale që përbënin “Kompaninë Bello”.

VENDIMI
Vendim nr. 6 datë 22.02.2022
(V-6/22)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Përparim Kalo, Sonila Bejtja, Altin Binaj, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi, në datën 22.02.2022 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen nr. 8 (G) 2021 të Regjistrit Themeltar, që u përket:

KËRKUES: GENTJAN MANAJ (ALIAS MYZAFER MANAJ)

SUBJEKT I INTERESUAR:
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR TIRANË

OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2021-364, datë 01.06.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

BAZA LIGJORE: Nenet 33, 42, 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Kushtetuta); nenet 6 dhe 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); nenet 27, 71 dhe 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Altin Binaj, shqyrtoi pretendimet me shkrim të kërkuesit Gentjan Manaj, konstatoi se subjekti i interesuar, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk ka paraqitur prapësime me shkrim, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

VËREN:
I
Rrethanat e çështjes

1. Kërkuesi Gentjan Manaj (alias Myzafer Manaj) është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, bazuar në urdhërarrestin nr. 9065/15 RGN-5609/19 RG GIP, datë 25.11.2019, të lëshuar nga Gjykata e Firences për ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar ndaj tij si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian, neni 74 i Dekretit Presidencial nr. 309/1990 dhe nenet 3 e 4 të ligjit nr. 146/06 “Për krimet transnacionale”.
2. Në datën 15.09.2020 është bërë arrestimi i kërkuesit dhe me vendimin nr. 1525 të Regjistrit Themeltar, datë 17.09.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vleftësuar i ligjshëm arresti, duke u caktuar ndaj tij masa e përkohshme e sigurimit “Arrest në burg”, me afat 40-ditor nga dita e arrestimit.
3. Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, me shkresën nr. 2576/5, datë 15.10.2020, ka përcjellë në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Italisë, së bashku me dokumentacionin përkatës, për ekstradimin e kërkuesit nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë. Bazuar në këtë dokumentacion, prokuroria ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për ekstradimin e kërkuesit Gentjan Manaj.
4. Me vendimin nr. 1525/1 të Regjistrit Themeltar, datë 23.10.2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar ndaj kërkuesit masën e sigurimit “Arrest në burg” me qëllim ekstradimi.
5. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 776 të Regjistrit Themeltar, datë 10.12.2020, ka vendosur: “Pranimin e kërkesës. Ekstradimin e shtetasit shqiptar Gentjan Manaj [….] nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë për hetimin dhe gjykimin e tij në lidhje me veprat penale të përcaktuara në kërkesën për ekstradim.”. Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë avokati A. V.
6. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 129, datë 17.03.2021, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 776 akti, datë 10.12.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”. Ky vendim është kundërshtuar në Gjykatën e Lartë nga mbrojtësi i kërkuesit, avokati A.V.
7. Me vendimin nr. 00-2021-364, datë 01.06.2021, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur në dhomë këshillimi mospranimin e rekursit, me arsyetimin se ai nuk plotëson kriteret formale, pasi është ushtruar nga mbrojtësi që nuk e kishte tagrin për ta ushtruar një të drejtë të tillë.
8. Vendimet e mësipërme gjyqësore që janë shprehur në favor të ekstradimit të kërkuesit janë ekzekutuar dhe ky shtetas është ekstraduar në Republikën e Italisë.
9. Në datën 13.07.2021 kërkuesi Gentjan Manaj, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë sipas objektit të saj. Kjo kërkesë është nënshkruar nga i njëjti mbrojtës që ka paraqitur ankimet në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (avokati A.V.) dhe bashkëlidhur saj është paraqitur dokumenti “Prokurë e posaçme” nr. 2636, datë 24.09.2020, i nënshkruar nga kërkuesi në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fushë Krujë, në prani të drejtorit dhe punonjësve të këtij institucioni.
10. Me vendimin e datës 15.11.2021, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.

II
Pretendimet në Gjykatën Kushtetuese
11. Kërkuesi Gentian Manaj ka pretenduar se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, e parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës, në drejtim të së drejtës së aksesit në gjykatë, për shkak se Gjykata e Lartë, edhe pse rekursi është paraqitur në bazë të tagrave të përfaqësimit të dhëna mbrojtësit me prokurën e posaçme nr. 2636, datë 24.09.2020, e nënshkruar nga kërkuesi, ka vendosur mospranimin e tij, duke mos u dhënë përgjigje pretendimeve të ngritura në rekurs.
12. Subjekti i interesuar, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk ka paraqitur prapësime me shkrim, edhe pse është njoftuar rregullisht nga Gjykata.

III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Për legjitimimin e kërkuesit
13. Çështja e legjitimimit (locus standi) është një ndër aspektet kryesore që lidhet me inicimin e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë. Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë edhe kriteret kumulative të nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës.
14. Në kuptim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, pasi ka qenë palë në procesin gjyqësor ndaj të cilit ka ngritur pretendime në Gjykatën Kushtetuese dhe ka interes të drejtpërdrejtë në çështjen e parashtruar.
15. Për sa i përket shterimit të mjeteve juridike, bazuar në parashikimet e nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, si dhe nenit 71/a, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577/2000, Gjykata konstaton se objekt i këtij ankimi kushtetues individual është vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga mbrojtësi i zgjedhur prej kërkuesit, ndaj vendimeve gjyqësore të gjykatave më të ulëta që kanë lejuar ekstradimin e tij në shtetin italian, duke pretenduar cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se kërkuesi nuk ka mjet tjetër juridik në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese përveç paraqitjes së ankimit kushtetues individual.
16. Lidhur me legjitimimin ratione temporis, nga materialet bashkëlidhur kërkesës rezulton se vendimi më i fundit në kohë i kundërshtuar nga kërkuesi është ai i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i datës 01.06.2021, ndërsa kërkesa është paraqitur në Gjykatë në datën 13.07.2021. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kërkesa është paraqitur brenda afatit 4-mujor, të përcaktuar nga neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577/2000.
17. Për sa i takon legjitimimit ratione materiae, Gjykata konstaton se kërkuesi, në thelb, ka pretenduar cenimin e së drejtës së aksesit në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, duke vendosur mospranimin e rekursit për shkak se ky akt është nënshkruar nga një mbrojtës, i cili nuk kishte tagra për të ushtruar një të drejtë të tillë, Gjykata e Lartë nuk ka shqyrtuar shkaqet e ngritura, duke mos u dhënë atyre përgjigje. Për rrjedhojë, duke qenë ky pretendim me natyrë kushtetuese, ai do të merret në shqyrtim në vijim në lidhje me bazueshmërinë e tij në themel.

B. Për themelin e pretendimeve
B.1. Për cenimin e së drejtës së aksesit në gjykatë
18. Kërkuesi ka pretenduar se qëndrimi i Gjykatës së Lartë, që nuk e ka pranuar rekursin me arsyetimin se është paraqitur nga një mbrojtës pa tagra, ka sjellë mohimin absolut të së drejtës së tij për t`iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë përgjigje përfundimtare për pretendimet e ngritura. Përfaqësimi i kërkuesit në Gjykatën e Lartë dhe ushtrimi i të drejtave në funksion të mbrojtjes së tij janë realizuar në bazë të prokurës së posaçme nr. 2636, datë 24.09.2020, e nënshkruar nga vetë kërkuesi në IEVP, në prani të punonjësve të këtij institucioni, e cila i është bashkëlidhur edhe ankimit kushtetues individual.
19. Gjykata vlerëson se pavarësisht statusit të kërkuesit gjatë proceseve gjyqësore, i cili ishte i izoluar për shkak se i ishte hequr liria dhe në pritje të ekstradimit, sipas parashikimeve të neneve 27 dhe 39 të Kushtetutës, duke pasur parasysh pretendimet e ngritura prej tij në ankimin kushtetues individual, ato do të shqyrtohen në këndvështrim të së drejtës për proces të rregullt ligjor, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës.
20. Në nenin 42 të Kushtetutës parashikohet se liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor dhe se kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
21. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka theksuar se e drejta e aksesit u garanton subjekteve të cenuara të drejtën t’i drejtohen një gjykate, e cila do t’i dëgjojë pretendimet e tyre dhe do të shpallë një vendim pas një gjykimi të drejtë dhe publik. Kjo e drejtë e individit nuk përfshin vetëm të drejtën për të vënë në lëvizje gjykatën, por edhe të drejtën për të pasur prej saj një zgjidhje përfundimtare për mosmarrëveshjen objekt gjykimi, pasi aksesi në gjykatë duhet të jetë substancial dhe jo thjesht formal (shih vendimet nr. 5, datë 22.02.2022; nr. 22, datë 29.04.2021; nr. 3, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Administrimi i mirë i drejtësisë fillon me garancinë që një individ të ketë akses në gjykatë për t’i siguruar atij të gjitha aspektet e një forme gjyqësore të shqyrtimit të çështjes. Mohimi i së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj për pretendimet e ngritura, përbën cenim të së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, sepse aksesi në gjykatë është, para së gjithash, një kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të tjera të individit. Shteti i së drejtës nuk mund të konceptohet pa u njohur individëve të drejtën dhe mundësinë për t’iu drejtuar gjykatës (shih vendimet nr. 22, datë 29.04.2021; nr. 3, datë 23.02.2016; nr. 52, datë 14.11.2014 të Gjykatës Kushtetuese). Gjykata ka theksuar, gjithashtu, se e drejta e ankimit, ashtu si edhe ajo e aksesit në gjykatë, nuk mund t’i cenohen kërkuesit për shkaqe që rrjedhin nga mangësitë ose gabimet në veprimtarinë e vetë organeve shtetërore (shih vendimet nr. 5, datë 02.03.2011; nr. 22, datë 26.07.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
22. Duke iu rikthyer çështjes konkrete në shqyrtim, për verifikimin e pretendimit të kërkuesit në lidhje me tagrat e përfaqësimit sipas prokurës së posaçme nr. 2636, datë 24.09.2020, Gjykata i ka kërkuar IEVP-së Fushë Krujë konfirmimin e autenticitetit të kësaj prokure, si dhe informacion nëse ky dokument u është dërguar organeve kompetente në përputhje me parashikimet e nenit 111 të Kodit të Procedurës Penale (KPP). Ky institucion, me shkresën nr. 2680 prot., datë 11.11.2021, ka informuar Gjykatën se një kopje origjinale e prokurës së posaçme nr. 2636, datë 24.09.2020 për ish të dënuarin Gentjan (alias Myzafer) Manaj, e njëjtë me atë që i është bashkëngjitur ankimit kushtetues individual, ndodhet në arkivin e sekretarisë së institucionit dhe bashkëlidhur saj edhe licenca e avokatit A.V. Sipas kësaj shkrese “Kjo prokurë e posaçme është lidhur midis të burgosurit dhe avokatit të tij dhe nuk njoftohet asnjë institucion, sepse në përputhje me nenin 111 të KPP-së detyrimi për të njoftuar organet kompetente do të lindë nëse ky dokument do të ishte kërkesë, ankesë apo deklaratë…”. Bashkëlidhur, IEVP-ja Fushë Krujë ka dërguar edhe një kopje të këtij dokumenti, i cili është nënshkruar nga kërkuesi në prani të punonjësve dhe drejtorit të institucionit. Nga përmbajtja e kësaj prokure të posaçme, rezulton se kërkuesi Gentjan Manaj ka autorizuar avokatin A.V. “të kryejë të gjitha veprimet në emër dhe për llogarinë time, në mungesë apo në praninë time, për përfaqësimin tim në çështjen penale-administrative me objekt “ekstradim”… Avokati A.V. ka të drejtë që të më përfaqësojë në të gjitha procedurat hetimore dhe/ose gjyqësore pranë organit të prokurorisë dhe organeve të tjera gjyqësore që lidhen me objektin sa më sipër, duke filluar që nga paraqitja e kërkesave revokuese/shuese të masës së sigurimit, pushimit të gjykimit të kërkesës ekstraduese, ankimin penal, ankim mase sigurie, rekursin… ankim në Gjykatën Kushtetuese…”.
23. Gjykata vëren se prokura e posaçme nr. 2636, datë 24.09.2020 është hartuar dhe nënshkruar nga kërkuesi në kushtet e izolimit të tij, të heqjes së lirisë për shkak të ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” me qëllim ekstradimi. Duke mbajtur në konsideratë pozitën e veçantë të personave të izoluar me masa sigurimi, të cilëve u mungon liria e lëvizjes për të vepruar në të njëjtën mënyrë si individët e tjerë, KPP-ja, me qëllim të garantimit të të drejtave të tyre, ka parashikuar disa rregulla në lidhje me mënyrën e veprimit të autoriteteve shtetërore për lëshimin e akteve. Kështu, neni 111, pika 1, i KPP-së, parashikon se i pandehuri i izoluar me masë sigurimi ka të drejtë të paraqesë ankesa, kërkesa dhe deklarata nëpërmjet drejtorit të institucionit, i cili lëshon dokument për marrjen në dorëzim të tyre. Ato regjistrohen në një libër të veçantë, i komunikohen menjëherë organit kompetent dhe kanë efekt njëlloj sikur të ishin pranuar drejtpërdrejt nga ai organ. Për më tepër, nga përmbajtja e prokurës, edhe pse bashkëngjitur saj ndodhet kopje e licencës së avokatit, rezulton se ajo nuk është nënshkruar nga avokati dhe nga shkresa nr. 2680 prot., datë 11.11.2021 e IEVP-së Fushë Krujë nuk rezulton që ai të ketë qenë i pranishëm dhe as nëse është pajisur apo i është dërguar një kopje e këtij akti.
24. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesi e ka shprehur në mënyrë të qartë vullnetin për zgjedhjen e avokatit A.V. dhe tagrat e dhëna këtij të fundit në proceset gjyqësore që lidhen me ekstradimin e tij, ku përmendet në mënyrë të shprehur edhe e drejta për të paraqitur ankim dhe rekurs.
25. Gjykata, bazuar në aktet e administruara gjatë këtij gjykimi, që i përkasin vendimeve të dhëna nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm për vleftësimin e ligjshëm të arrestit të përkohshëm (vendimi nr. 1525 i Regjistrit Themeltar, datë 17.09.2020 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë), për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” me qëllim ekstradimi (vendimi nr. 1525/1 i Regjistrit Themeltar, datë 23.10.2020 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë), për pranimin e kërkesës së prokurorit për ekstradimin e kërkuesit nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë (vendimet nr. 776 i Regjistrit Themeltar, datë 10.12.2020 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nr. 129, datë 17.03.2021 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr. 00-2021-364, datë 01.06.2021 i Gjykatës së Lartë), vëren se në seancat gjyqësore kërkuesi ka qenë i përfaqësuar nga avokati A.V., i zgjedhur në bazë të deklarimeve të tij në seancë ose deklaratave me shkrim, të nënshkruara prej tij, ku shpreh vullnetin për të mos marrë pjesë në seancë gjyqësore. Mbi bazën e këtyre deklaratave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka shqyrtuar kërkesën për lejimin e ekstradimit të kërkuesit, ka zhvilluar gjykimin në mungesë të tij dhe ka lejuar përfaqësimin nga avokati A.V. Ky avokat ka nënshkruar ankimin kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në të cilin është shprehur se vepron në bazë të tagrave të dhëna me prokurë të posaçme.
26. Gjykimi në Gjykatën e Apelit Tiranë, siç rezulton nga procesverbalet e seancave gjyqësore, është zhvilluar në mungesë të kërkuesit dhe ai është përfaqësuar nga avokati A.V. Edhe në këtë rast, zgjedhja e mbrojtësit është bërë në bazë të deklaratave të nënshkruara nga kërkuesi, ku ai shpreh vullnetin për të mos marrë pjesë në gjykim dhe për t`u përfaqësuar nga ky mbrojtës. Kurse në seancat gjyqësore ku mbrojtësi i zgjedhur nuk është paraqitur, gjykata i ka caktuar kryesisht avokatin L. K.
27. Për sa më sipër, Gjykata konstaton se në proceset gjyqësore të zhvilluara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë përfaqësimi i kërkuesit është bërë mbi bazën e deklaratave të nënshkruara prej tij në prani të punonjësve të IEVP-së Fushë Krujë (shih paragrafin 25), në të cilat ai shprehet se nuk dëshiron të marrë pjesë në seancat gjyqësore për të cilat është njoftuar dhe se do të përfaqësohet nga avokati A.V. Për sa i përket aktit të përfaqësimit, prokurës së posaçme nr. 2636 prot., datë 24.09.2020, nuk rezulton që ajo të jetë administruar nga gjykatat dhe as nuk konstatohet që të jetë përfshirë në fashikujt e akteve të prokurorisë dhe ato gjyqësore. Gjykata konstaton, gjithashtu, se as në seancë gjyqësore, as në vendimet e këtyre gjykatave nuk është vënë në diskutim përfaqësimi i kërkuesit nga avokati A.V. dhe as tagrat e tij. Ky avokat e ka përfaqësuar kërkuesin në çdo shkallë gjykimi (me përjashtim të seancave gjyqësore ku ai ka qenë në mungesë dhe përfaqësimi është bërë nga mbrojtësi i caktuar kryesisht) dhe ankimi në gjykatën e apelit, rekursi në Gjykatën e Lartë, si dhe ankimi kushtetues individual janë nënshkruar po prej tij.
28. Gjykata vëren se, sipas nenit 435, pika 2, të KPP-së, akti i rekursit dhe memoriet duhet të nënshkruhen, me pasojë mospranimi, nga mbrojtësit, kurse sipas nenit 434/a, shkronja “d”, të KPP-së rekursi duhet të përmbajë, mes të tjerash, prokurën e avokatit në rastet kur rekursi paraqitet nga i pandehuri ose palët private. Gjykata konstaton se avokati A.V., edhe pse në rekurs shprehet se përfaqëson kërkuesin në bazë të tagrave të dhëna me prokurë të posaçme për procesin e ekstradimit të tij, nuk rezulton t`i ketë bashkëlidhur këtij akti kopje të prokurës. Në këtë drejtim, sjellja dhe përpjekjet e avokatit nuk kanë qenë në nivelin e duhur dhe se ai, edhe pse ishte në dijeni të prokurës së posaçme dhe është mbi këto tagra që ka ushtruar të drejtën e ankimit, nuk ka paraqitur kopje të saj as në proceset gjyqësore dhe as bashkëlidhur akteve të ankimit, në ndryshim me mënyrën se si është sjellë në paraqitjen e ankimit kushtetues individual, të cilin e ka shoqëruar edhe me kopje të aktit të përfaqësimit.
29. Në lidhje me procesin e zhvilluar në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal, pasi ka verifikuar plotësimin e kritereve formale, ka konstatuar se rekursi ishte nënshkruar vetëm nga avokati dhe se nuk ishte i shoqëruar me një akt përfaqësimi me tagrat përkatëse që kërkuesi i kishte dhënë këtij mbrojtësi. Për rrjedhojë, duke vlerësuar se mbrojtësi nuk kishte tagrën e posaçme për paraqitjen e rekursit, Kolegji Penal ka vendosur mospranimin e rekursit. Në vendimin e tij nr. 00-2021-364, datë 01.06.2021, ai ka vlerësuar: “Kolegji konstaton se rekursi është paraqitur dhe nënshkruar nga avokati A.V., që e ka përfaqësuar kërkuesin në gjykimin për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë. Mbrojtësi është legjitimuar me anë të deklaratës së lëshuar pranë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale dhe nuk rezulton që në këtë deklaratë atij t’i jetë dhënë tagri për të ushtuar rekurs në Gjykatën e Lartë… Në këto kushte, në çështjen objekt gjykimi rezulton se rekursi është ushtruar nga mbrojtësi që nuk e ka tagrin për ta ushtruar një të drejtë të tillë. Nuk rezulton që shtetasi Gentian Manaj, në mënyrë të shprehur të ketë deleguar të drejtën për të bërë rekurs tek mbrojtësi…”.
30. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka theksuar se në vështrim të garantimit të standardit të aksesit në gjykatë, dispozitat e KPP-së nuk mund të interpretohen nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në një mënyrë të tillë të ngushtë, që cenon thelbin e së drejtës së një individi për t’iu drejtuar asaj gjykate (shih vendimin nr.5, datë 02.03.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Rekursi është akti procedural në të cilin parashtrohen shkaqet për të cilat kundërshtohet një vendim, sipas kërkesave të nenit 432 të KPP-së, që mundëson të drejtën e të pandehurit për të filluar gjykimin në Gjykatën e Lartë dhe, në këtë kuptim, ai është akti me të cilin garantohet e drejta për akses në atë gjykatë. Gjykata ka vlerësuar se mbrojtja me avokat e të pandehurit gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Lartë është kërkesë e nevojshme në funksion të garantimit të një mbrojtjeje efektive dhe profesionale që është në interes të drejtësisë. Kërkesa për nënshkrimin e rekursit nga mbrojtësi, me pasojë mospranimin e tij, e parashikuar nga neni 435 i KPP-së, ka kuptim, para së gjithash, në funksion të aksesit që duhet të kenë të pandehurit për të ushtruar të drejtat që parashikojnë dispozitat procedurale (shih vendimet nr. 53, datë 05.12.2012; nr. 41, datë 28.09.2011; nr. 38, datë 30.12.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
31. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është shprehur se rregullat që disiplinojnë hapat formalë për paraqitjen e një ankimi, synojnë të sigurojnë miradministrimin e drejtësisë. Sipas saj, thelbi i së drejtës së aksesit në gjykatë cenohet kur rregullat procedurale pushojnë së shërbyeri qëllimeve të “sigurisë juridike” dhe “administrimit të duhur të drejtësisë” dhe formojnë një lloj pengese që pengon palën ndërgjyqëse që çështja e tij/saj të vendoset në themel nga gjykata kompetente (shih vendimin në çështjen Zubac kundër Kroacisë [GC], datë 05.04.2018, § 98). Në veçanti, çështjet e “sigurisë juridike” dhe “administrimit të duhur të drejtësisë” janë dy elemente kryesore për të bërë dallimin midis formalizmit të tepruar dhe zbatimit të pranueshëm të formaliteteve procedurale (po aty, § 98). Në shqyrtimin e proporcionalitetit të një kufizimi të aksesit në gjykatë, GJEDNJ-ja merr parasysh gabimet procedurale të kryera gjatë procedurave, të cilat e penguan kërkuesin të gëzonte një akses të tillë dhe përcakton nëse kërkuesi ishte detyruar të mbante një barrë të tepruar për shkak të këtyre gabimeve (po aty, §§ 90-95, 119). Aty ku janë bërë gabime para gjykatave më të ulëta, GJEDNJ-ja ka vlerësuar rolin e mëvonshëm të Gjykatës së Lartë (po aty, §§ 122-124).
32. Gjykata ka theksuar se të drejtat individuale, qoftë edhe të natyrës procedurale (këto të fundit të konceptuara në funksion dhe të garancive të të drejtave materiale), duhet të interpretohen gjithmonë në atë mënyrë që të jenë efektive (shih vendimin nr. 5, datë 02.03.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Në këto kushte, si dhe në situatën që administrata gjyqësore nuk ka evidentuar të metat formale të rekursit në momentin e paraqitjes së tij, duke mos i dhënë mundësinë kërkuesit për ta plotësuar atë, Gjykata e Lartë, pavarësisht se ndodhej para situatës faktike të referuar më sipër, ka vendosur apriori mospranimin e rekursit për mungesë të tagrave të përfaqësimit, pa korrigjuar veprimet e administratës së saj gjyqësore dhe pa i dhënë mundësinë kërkuesit dhe mbrojtësit të tij që të plotësonin këto të meta. Gjykata vlerëson se Gjykata e Lartë, në kuptim të rrethanave të faktit të evidentuara më sipër, kishte të gjitha hapësirat që kërkesat ligjore për elementet formale që duhet të plotësojë rekursi, në përputhje me funksionin e saj të interpretimit të normës dhe në kuptim të parimit të subsidiaritetit e pozicionit të saj në piramidën gjyqësore, t’i interpretonte me qëllim garantimin e të drejtave themelore të individit, konkretisht të së drejtës së aksesit substancial.
33. Gjykata, duke i vlerësuar veprimet/mosveprimet e konstatuara në procesin gjyqësor në drejtim të garantimit të së drejtës së aksesit në gjykatë, në përfundim vlerëson se vendimi i Kolegjit Penal për mospranimin e rekursit, i kundërshtuar nga kërkuesi, është rrjedhojë e një tërësie shkaqesh që lidhen me veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore, duke nisur me mosveprimet e IEVP-së Fushë Krujë, e cila duhej t`i përcillte një kopje të aktit të përfaqësimit organit procedues (prokurorisë ose gjykatës) dhe më pas të gjykatave, që nuk kanë hetuar dhe verifikuar në mënyrën e duhur përfaqësimin dhe tagrat e mbrojtësit, por edhe me sjelljen e vetë mbrojtësit të kërkuesit.
34. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se kërkesa është e bazuar dhe duhet të pranohet, për shkak të shkeljes së nenit 42 të Kushtetutës, në drejtim të mosrespektimit të aksesit substancial të kërkuesit në Gjykatën e Lartë.

PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,
V E N D O S I:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2021-364, datë 01.06.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
3. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 22.02.2022
Shpallur më 29.03.2022