Përmbushen kushtet për regjim pa viza me BE-në
Albeu.com
Pasaporta biometrikë, qendra e re e vizave dhe sigurimi i integruar kufitar, janë argumentet më të mira se Maqedonia i përmbushi kushtet për regjim pa viza me BE-në.Këtë sot e theksoi ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme të shtetit federal gjerman Brandenburg, Jerg Shenbom.
Në takimin, siç është lajmëruar në Shkup, ministri Shenbom shprehu kënaqësi nga funksionimi i shërbimeve kufitare të Maqedonisë, veçmas për shkak të faktit se ishte një ndër të parët, që si shtetas i një vendi anëtar të BE-së, e shfrytëzoi mundësinë për të hyrë në Maqedoni vetëm me letërnjoftim.
Duke shprehur mbështetje për përpjekjet e Maqedonisë për liberalizim të plotë të regjimit të vizave, Shenbom ka premtuar se do ta informojë ministrin federal për të gjitha të arriturat dhe do të rekomandojë që Gjermania të prononcohet pozitivisht gjatë miratimit të ardhshëm të vendimit për liberalizimin e regjimit të vizave.
Jankullovska dhe Shenbom shkëmbyen informata edhe për situatën në Kosovë, me ç`rast nga pala gjermane është përshëndetur vendimi i Maqedonisë për njohjen e pavarësisë si akt që ndikon në stabilizimin e mëtejshëm të rajonit, lajmëroi MPB-ja e Maqedonisë. (Makfaks)
Shtuar më 13/10/2008, ora 20:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori