Përmbledhje e ngjarjeve të djeshme në Tetovë
Albeu.com
Një aksion i njësive speciale të Maqedonisë në Malësinë e Sharrit, në një fshat të banuar nga shqiptarë ka tensionuar situatën në vend nga egërsia e tij, ku si përfundim, sipas burimeve zyrtare janë vrarë gjashtë persona dhe është terrorizuar një fshat i tërë.Dje që në orët e para të mëngjesit, policia speciale maqedonase ka ndërmarrë një aksion në fshatrat e Malësisë së Sharrit, në veriperëndim të Tetovës. Banorët theksojnë se të paktën tetë persona janë vrarë, por këto të dhëna kundërshtohen nga Ministria e Brendshme. Policia thotë se të vrarët janë nga radhët e bandave të armatosura, ndërkohë që fshatarët thonë se ka viktima edhe ndër vetë banorët civilë. Aksioni është bërë në kërkim të grupeve të armatosura të udhëhequra nga shqiptarët Lirim Jakupi, i njohur si "Nazisti" dhe Ramadan Shiti, që të dy persona të kërkuar për krime në Maqedoni dhe të arratisur para pak muajsh nga burgu i Dubravës në Kosovë. Sipas policisë maqedonase, grupet ishin strehuar në fshatrat Brodec, Veshallë dhe Vicë. Gjatë aksionit janë përdorur edhe helikopterë të forcave maqedonase të prodhimit ukrainas. Burime shqiptare thonë se një helikopter është rrëzuar gjatë përleshjeve dhe disa autoblinda të policisë janë shkatërruar, por këtë nuk e konfirmon Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas banorëve shqiptarë, ka shtëpi të djegura nga zjarri i forcave policore. Po ashtu është rrëzuar edhe minarja e xhamisë së fshatit Brodec. Ende nuk është e qartë se kush janë grupet e armatosura shqiptare, të cilat janë përleshur me forcat qeveritare maqedonase. Policia bllokoi të gjitha hyrje-daljet nga Tetova për në fshatra e Malësisë së Sharrit. Ndërkohë, në Shkup, policia maqedonase ka bastisur të paktën tre shtëpi të shqiptarëve dhe ka arrestuar disa persona për të cilët thuhet se kanë qenë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Aksioni

Pas një urdhri të krerëve të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, dje në orët e para të mëngjesit, njësitë speciale të policisë kanë hyrë në fshatin Brodec, i cili ndodhet në malet përreth Tetovës, zonë e cila quhet dhe Malësia e Sharrit. Trupat speciale maqedonase, gjatë operacionit të koduar me emrin "Stuhia Malore", kanë përdorur armët e rënda deri tek autoblindët dhe helikopterët. Popullsia akuzon policinë se ka përdorur metoda jonjerëzore, duke bastisur shtëpitë dhe kontrolluar thuajse të gjithë banorët e fshatit. Me anë të armëve artilerike policia ka grasatuar shtëpitë duke djegur disa prej tyre, madje ka rrëzuar edhe minaren e xhamisë së fshatit. Gjatë aksionit të policisë ka pasur shkëmbime zjarri mes policisë dhe disa personave të armatosur. Luftimet janë zhvilluar për një kohë të gjatë dhe kanë pasur pasojat e tyre, ku janë shkatërruar edhe autoblinda të policisë. Policia maqedonase deklaroi se nuk ka pasur të dëmtuar asnjë prej efektivave të saj. Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska i përgënjeshtroi informacionet se është rrëzuar helikopteri i policisë. "Ministria e Punëve të Brendshme me sukses e përfundoi aksionin ‘Stuhia malore‘, që ishte i drejtuar ndaj gjetjes dhe neutralizimit të grupit kriminel-ekstremist të armatosur, të stacionuar në rajonin e fshatit Brodec në Tetovë", tha ministrja Jankullovska. Aksioni, siç theksoi ajo, "është kryer me profesionalizëm të madh dhe kanë marrë pjesë pjesëtarë të policisë me përbërje të përzier etnike". Në aksionin, shtoi ministrja e MPB-së, janë ndërmarrë masa dhe është vepruar në pajtim me të gjitha standardet profesionale për mbrojtje të popullatës civile. Në disa vende, siç tha ajo, prej ku edhe është hapur zjarri ndaj policisë, janë gjetur sasi e madhe armësh.

Ndërkombëtarët


BE e SHBA ndjekin situatën


Komisioni Evropian bëri të ditur se është i njoftuar me zhvillimet e fundit në Maqedoni. Kristina Nagi, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oli Rhen theksoi se janë të njohur me aksionin e policisë në Malësinë e Tetovës.

Kristina Nagi, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oli Rhen theksoi se janë të njohur me aksionin e policisë në Malësinë e Tetovës, porse sipas saj priten njoftime të tjera më të detajuara nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë. Nagi kërkoi mostensionimin e situatës në këtë vend. Sot do të jetë në Shkup,

ambasadorja amerikane në NATO, Victoria Nuland, e cila pritet që të diskutojë edhe aksionin më të fundit të policisë. Përveç ambasadores Nuland, në delegacion marrin pjesë edhe zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes, Daniel Fata, Drejtori i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Christopher Hoh, Drejtori për Evropë dhe NATO në Këshillin Nacional të Sigurisë, Toby Bradley dhe zyrtarë të tjerë civilë dhe ushtarakë nga Qeveria e SHBA-së.


Prishtinë

ORA: Maqedonia s‘duhet t‘i kthehet luftës


Nënkryetari i partisë ORA, Ylber Hysa i ka cilësuar ngjarjet e djeshme në Maqedoni si "një lajm i keq për stabilitetin në rajon". "Ngjarjet dramatike që po ndodhin në Maqedoni besoj se janë një lajm i keq për stabilitetin në rajon. Ne konsiderojmë se të gjitha palët duhet ta kuptojnë se lufta ka mbaruar në Maqedoni dhe se askujt nuk i duhet asnjë lloj konflikti, për çfarëdo qëllimi", thuhet në një njoftim të ORA-s, të nënshkruar nga Hysa. Nënkryetari Hysa vëren se ngjarje të tilla nuk janë një lajm i mirë as për Kosovën, sidomos në procesin e tanishëm të përcaktimit të statusit. "U bëjmë thirrje të gjithëve të ndalen luftimet. Ne konsiderojmë që çfarëdo konflikti në Maqedoni është i keq për Maqedoninë dhe është i keq për Kosovën dhe për rajonin", thuhet në njoftimin e shtypit të partisë ORA. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatrat e Malësisë së Tetovës ka filluar një aksion i forcave të sigurisë të Maqedonisë, siç thuhet, kundër "një grupi të armatosur që vepron në këtë rajon". Banorët e fshatrave të zonës kanë njoftuar se disa shtëpi të këtyre fshatrave po digjen, është goditur xhamia e fshatit Brodec dhe se ka të plagosur e mbase të vrarë nga të dyja palët. Banorët e këtyre fshatrave, të cilët janë strehuar nëpër bodrume, kanë njoftuar përmes telefonit se në rajon veprojnë forca të mëdha të sigurisë, mjete të blinduara dhe helikopterë. Policia ka bllokuar të gjitha kalimet për në rajonin e Malësisë së Tetovës dhe nuk lejon hyrjen atje të medias dhe të civilëve.

Tetovë


Qëndrime të ndryshme të forcave politike shqiptare pas ngjarjes


BDI dhe PDSH akuzojnë njëra-tjetrën për incidentin


Partitë politike shqiptare në Maqedoni kanë pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me operacionin e djeshëm të policisë. Partia më e madhe, Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur e brengosur me situatën e sigurisë të krijuar nga forcat e policisë maqedonase. Këto janë konkluzat e miratuara nga kryesia e kësaj partie, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së saj. "Dënojmë bastisjet në lagjet shqiptare të Shkupit ku janë burgosur ish-pjesëtarët e UÇK-së. Përgjegjës për këtë situatë është koalicioni VMRO-PDSH. Apelojmë që urgjentisht të ndërpritet aksioni policor në Malësi të Tetovës. Ftojmë garantuesit e sigurisë, NATO dhe BE që të bëjnë presion për ndërprerje të aksioneve policore në Malësi të Tetovës", theksoi anëtari i lartë i kësaj partie, Hazbi Lika. BDI-ja fton qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. BDI-ja nuk ka dhënë detaje të tjera për aktivitetet e mëtejshme. Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare bën të ditur se kësaj radhe u përcaktua që të ruajë qetësinë dhe jetën e banorëve të këtyre fshatrave që janë viktimë e këtyre individëve me dosje kriminale që me veprime aventuriste tentojnë të veprojnë në kuadër të opsioneve të paverifikuara dhe të palegjitimuara kombëtarisht. "Aksioni i fundit i policisë së Maqedonisë në koordinim me KFOR-in dhe me organet e sigurisë së Kosovës, në fshatin Brodec, në funksion të burgosjes të të ikurve nga Burgu i Dubravës së Kosovës, krijoi shqetësim jo vetëm në Malësinë e Tetovës por edhe më gjerë. Elemente të caktuara siç është rasti i këtyre me dosje kriminele, të cilët nuk kanë hapësirë në Kosovë, pasi ndiqen nga organet e policisë dhe KFOR-it, kalojnë në Maqedoni dhe strehohen në fshatra shqiptare, duke i vënë në rrezik banorët e këtyre fshatrave.
G. Shqip
Shtuar më 08/11/2007, ora 19:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori