Për pjesëmarrje në zgjedhje partitë do të mund të çertifikohen
Albeu.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka miratuar rregulloren, me çka ka filluar procesi i çertifikimit të partive politike dhe individëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.Procesi do të zgjasë deri më 7 shtator tha Misioni i OSBE-së në Prishtinë. Ambasadori i OSBE-së në Kosovë Verner Vnendt ka thënë se organizimi i zgjedhjeve është pjesë shumë e rëndësishme e proceseve demokratike, e veçanërisht në Kosovë.
Të gjitha subjektet politike : partitë, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatë të pavarur, prej ditës së premte mund të aplikojnë për t’u çertifikuar në Komision Qendror të Zgjedhjeve, në qoftë se dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Afati i çertifikimit do të zgjasë deri më 7 shtator.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, tha se KQZ-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, edhe pse ky proces do të jetë më kompleks edhe për shkak të kohës shumë të ngushtë.

Por, ai tërhoqi vërejtjen se subjektet që nuk i kanë kryer obligimet financiare nuk mund të aplikojnë për aplikim.

Shefi i OSBE-së, ambasadori Werner Wnendt i ka cilësuar shumë të rëndësishme zgjedhjet e ardhshme dhe ka theksuar se subjektet politike që çertifikohen për zgjedhjet e ardhshme duhet të dorëzojnë emrat e kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, kuvendet komunale dhe kryetar të komunave.

KQZ-ja është autorizuar nga zëvendësshefi i UNMIK-ut Stiven Shuk që të fillojë këtë proces përgatitor për dy palët zgjedhjet, të cilat janë paralajmëruar për muajin nëntor të këtij viti.

Vendimi për datën e mbajtjes së zgjedhjeve do ta marrë shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, diku në fillim të muajt të ardhshëm.

Buxheti i Kosovës i ka ndarë KQZ-së, 7 milionë euro për procesin e zgjedhjeve të ardhshme, që duket se nuk do të jenë të mjaftueshme për kryerjen e të gjitha punëve teknike dhe operacionale për këtë proces zgjedhor. rtk
Shtuar më 18/08/2007, ora 16:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori