Paloka mesazh deputetëve: Bojkotoni takimet e Metës
Pëlqej
Deputetët e Partisë Demokratike nuk do të marrin pjesë në asnjë aktivitet të Parlamentit, apo edhe të kryetarit të këtij institucioni, Ilir Meta. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, u ka shpërndarë dje në mesditë një mesazh të gjithë deputetëve ku i njofton porosinë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, se qëndrimi bojkotues i opozitës ndaj Kuvendit nuk ka ndryshuar.

"Përshëndetje! Ju informoj që qëndrimi ynë ndaj Parlamentit nuk ka ndryshuar. Me porosi edhe të kryetarit të PD, nuk do të marrim pjesë në asnjë aktivitet të Parlamentit dhe të Metës, edhe kur janë takime me personalitete të huaja. Ju falënderoj për mirëkuptimin. Edi Paloka", thuhet në mesazhin e nisur nga kreu i Grupit Parlamentar demokrat ditën e djeshme për deputetët e opozitës.

Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se më 19 dhe 20 gusht, kreu i Parlamentit, Ilir Meta, do të zhvillojë takime me dy delegacione të huaja që vizitojnë Tiranën. Fillimisht do të presë në zyrë një delegacion japonez e më pas një delegacion nga Gjermania.

Sipas protokollit, mësohet se ai ka ftuar të jenë të pranishëm edhe deputetë të opozitës, të cilët janë edhe pjesëtarë të grupeve të miqësisë mes Shqipërisë, Japonisë dhe Gjermanisë. Mesazhi i shpërndarë ditën e djeshme duket se ka lidhje edhe me këto dy takime që do të zhvillojë kreu i Kuvendit. /albeu.com/
Shtuar më 17/08/2014, ora 15:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori