Më kë do të bësh tifo? Grillo e sqaron për Tirana-Zvezda: Të gjithë shqiptarët e ndoqën Zvezdën jo serbe

Kosta Grillo është zëri i vjetër i komentimit të ndeshjeve të futbollit që do të jetë në krye të detyrës edhe për takimin mes Tiranës dhe Zvezdës.

Në ditët e fundit ka marrë një jehonë të madhe edhe për deklaratat e pëlqimit krahas ekipit serb, duke lindur edhe dyshime se do të jetë në mbështetje të tyre në këtë përballje.

Megjithatë i ftuar në edicionin e lajmeve për “Syri Tv” e ka hedhur poshtë një teori të tillë. Grillo është shprehur se nuk ka aspak dyshime se do të mbështes Tiranën, ndërsa Zvezdën e mbështet vetëm për ato vite të largëta të suksesit kur në përbërje nuk kishte edhe shumë futbollistë me origjinë serbe.

“Ftesë për të komentuar Tirana-Zvezda? Është një ngjarje për mua në veçanti që më ka lënë shumë mbresa dhe jam shumë i emocionuar dhe nuk e kam menduar ende që do të jem në krye të këtij derbi të Ballkanit. Me cilën ekip do të jem tifoz? Unë gjej rastin që të flas drejtpërdrejtë me tifozët. Portalet kanë luajtur me fjalët e mia dhe nuk jam treguar agresiv ndaj tyre, unë nuk jam tifoz i madh i Zvezdës, por simpatizant i tyre.

Në vitin 1991 të gjithë shqiptarët ndoqën një Zvezdë aspak serbe, pasi kishin lojtarë kroatë, maqedonas, lojtarë me origjinë shqiptare, malazez dhe fitoi Kupën e Kampionëve. Këtu lindi edhe simpatia. Unë jam tifoz i Tiranës pasi që 10 vjeç jam rritur pranë stadiumit Dinamo. Dhe sikur të mos isha tifoz i Tiranës, jam i ekipeve shqiptare që më para të kalonin edhe Kukësi apo Partizani. Unë jam gjithmonë me ekipet shqiptare edhe nëse luajnë me Liverpulin. Nuk ka asnjë lloj diskutimi që do të jem me Tiranën. Thjesht kam thënë që Zvezda është ekip shumë i mirë dhe nuk kam gënjyer”, u shpreh Grillo.


Shtuar 24.08.2020 18:26