Pajisja e përgjimit, prokuroria pushon hetimet ndaj izraelitit
Prokuroria e Tiranës ka vendosur sot të pushojë hetimet për shtetasin izraelit, ndaj të cilit tashmë nuk rëndon më asnjë akuzë.

Sipas organit të akuzës, pas ekspertizës së kryer, rezultoi se pajisja që kishte me vete izraeliti teksa tentoi të largohej nga Rinasi nuk kryen dot përgjime.

Ai pranoi faktin se ishte punësuar nga deputeti Tom Doshi për të kontrolluar nëse në kompanitë e tij kishte përgjues. Frig sqaroi se pajisja që iu bllokua në Rinas, nuk kryen përgjime, por kontrollon nëse ka përgjues, shkruan Panorama.

AKUZAT

Pajisja elektronike, e cila bën skanimin dhe gjetjen e përgjuesve të vendosur në një ambient, konsiderohet një mall i ndaluar, sipas legjislacionit shqiptar, të paktën derisa hetimet dhe ekspertiza të përcaktojnë me saktësi funksionin e saj.

Nga verifikimi paraprak që është bërë, sipas hetuesve aparatura nuk ka as programe dhe as mjete për përgjim. Deri në përfundim të hetimeve, ndaj Yoram Frig është ngritur akuza e “Kontrabandës me mallra të ndaluar”.

Kjo akuzë, e parashikuar nga Neni 171 i Kodit Penal, sanksionon importimin, eksportimin apo tranzitimin e paligjshëm të mallrave të ndaluar që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë. Ky veprim, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Ai akuzohej edhe për “Keqpërdorim pajisjesh”, parashikuar nga Neni 293/ç i Kodit Penal, brenda të cilit përfshihen edhe akuzat, “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

Sipas ligjit penal shqiptar, “prodhimi, mbajtja, shitja, dhënia në përdorim, shpërndarja apo çdo veprim tjetër, për vënien në dispozicion të një pajisjeje, ku përfshihen edhe një program kompjuterik, një fjalëkalim kompjuterik, një kod hyrjeje apo një e dhënë e tillë e ngjashme, të cilat janë krijuar ose përshtatur për hyrjen në një sistem kompjuterik ose në një pjesë të tij, me qëllim kryerjen e veprave penale, të parashikuara në nenet 192/b (Hyrje e paautorizuar kompjuterike), 293/a (Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike) dhe 293/b (Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike) të Kodit Penal, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, thuhet në Nenin 293/ç, të Kodit Penal./albeu.com/


Shtuar më 07/04/2017, ora 12:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori