Pajaziti: Nuk planifikojme zgjidhje policore per veriun
Albeu.com
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, i tha BBC-së se nuk është synim i autoriteteve në Kosovë që të bëjnë zgjidhje policore për problemet në veriun e Kosovës.Ai tha se janë përcjellë porosi të bashkëjetesës në veri dhe se masat policore janë të fundit për të penguar, siç i cilësoi, keqbërësit që duan ta mbajnë gjendjen pezull në këtë pjesë të Kosovës.
Autoritetet policore përdorën në dy ditët e kaluara, gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish serbë në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, që kërkuan ndaljen e punimeve në rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë, të shkatërruara që nga përfundimi i luftës.
Pjesëtarët e komunitetit serb në veri, kanë kundërshtuar rikthimin e banorëve shqiptarë në pjesën veriore, të qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe kanë refuzuar bashkëpunimin me autoritetet në Kosovë.
Pjesa më e madhe e pjesëtarëve serbë të policisë së Kosovës, kanë lëshuar vendet e tyre të punës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës, ndërkaq u ka dhënë një afat deri më 30 qershor që të vendosin nëse duan të kthehen në vendet e tyre të punës.
Ministri Pajaziti tha se ka filluar një proces i komunikimit me policët serbë dhe se afati i përcaktuar do t'u mundësojë atyre të vendosin për të ardhmen. Ai shprehu besimin e tij se një numër i madh i tyre do të kthehet në vendet e punës.
Pajaziti tha se duhet të shfrytëzohet prania e misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, për kthimin e policëve serbë në institucionet e Kosovës dhe për të ndaluar një manipulim, siç e cilësoi, të rrezikshëm të tyre nga strukturat jashtë vendit. (BBC)
Shtuar më 27/04/2009, ora 16:56
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori