Pajaziti: Ju siguroj se do te kete rezultate konkrete
Albeu.com
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, nuk ka dhënë asnjë informatë të re rreth hetimeve që janë duke u zhvilluar për të zbardhur vjedhjen që ka ndodhur në dhomën e dëshmive në polici.Por ai ka thënë se për zbardhjen e këtij rasti janë angazhuar ekspertët më të dëshmuar policorë. “Ju siguroj se do të ketë rezultate konkrete në këtë rast”, është shprehur ai, të martën në seancën e posaçme parlamentare, ku po shqyrtohet çështja e skandalit të vjedhjes në dhomën e dëshmive, e titulluar “Informata për incidentin në dhomën e provave të Policisë së Kosovës”.

“Pa dyshim që rasti i vjedhjes në dhomën e dëshmive ka dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës”, e ka pranuar Pajaziti, i cili ka falënderuar deputetët për “interesimin” për këtë çështje.

“Jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë luftën kundër krimit të organizuar”, ka vazhduar ai.

Më tutje, ministri është munduar ta largojë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë nga vetja për vjedhjen e rëndë që ka ndodhur natën mes 24 dhe 25 prillit, me ç’rast janë vjedhur rreth 48 kilogramë heroinë, më shumë se 3 mijë euro dhe një shumë parash në valuta të huaja.

Ministri tha se sipas ligjit mbi policinë, Ministria është përgjegjëse për zhvillimin e politikave etj, ndërsa përgjegjësia direkte sipas tij i përket menaxherëve të policisë.

Ai tha se ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmeti, që rasti të trajtohet me prioritet absolut dhe ka autorizuar drejtorin për formimin e një taskforce që do të hetojë rastin.

“Rasti është nën mbikëqyrje të një prokurori ndërkombëtar dhe janë në vazhdën e intervistimit”, shtoi Pajaziti.

Ministri i Policisë përmendi si pjesë të hetimeve edhe arrestimin e tre persona në pikën kufitare të Hanit të Elezit. “Kjo është një nga pistat”, u shpreh ai, megjithëse tre të arrestuarit tashmë janë liruar nga gjykata.

Pas informatës se ministrit, ka nisur të zhvillohet debat parlamentar.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rrustem Mustafa, ka kërkuar edhe dorëheqjen e shefit të Policisë së Kosovës, gjeneralit Sheremet Ahmeti.

“Ai duhet të largohet nga posti për mosplotësimin e përgjegjësive si zëvendëskomisar... Unë do ta shqyrtoj seriozisht pozitën time nëse nuk merren parasysh rekomandimet”, ka thënë Mustafa, i cili vjen nga radhët e PDK-së. (express)
Shtuar më 23/06/2009, ora 22:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori