Pajaziti: Eulex s'ka kompetence te beje marreveshje me Serbine
Albeu.com
Eulex nuk ka kompetencë të bëjë marrëveshje me Serbinë, kjo është e drejtë ekskluzive e institucioneve të Kosovës. Kështu u shpreh, për televizionin Alsat, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, pas ...... paralajmërimeve se EULEX është në prag të nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Beogradin zyrtar për sferën e policisë, ku autoritetet kosovare janë anashkaluar nga këto bisedime.
“Për ne është me rëndësi veçanërisht të ritheksohet roli dhe misioni i EULEX-it në Kosovë dhe ky mision ka për detyrë t’i mbështes dhe t’i këshilloj në përgjithësi institucionet kosovare që janë relativisht të reja dhe që pretendojnë të jenë kompatibile dhe të krahasueshme me institucionet tjera të regjionit dhe të Evropës. Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me vendet fqinje të institucioneve tona e integrimit në institucionet ndërkombëtare, marrëveshje bilaterale dhe marrëveshje tjera të ndryshme me vendet dhe institucionet tjera, kompetente janë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Zenun Pajaziti, ministër i Punëve të Brendshme të kosovës.
Pajaziti, bëri të ditur se autoritetet kosovare nuk kanë të bëjnë asgjë me këto marrëveshje dhe se këto janë plane bashkëpunimi vetëm në mes EULEX-it dhe shteteve të rajonit, e posaçërisht Serbisë.
“EULEX, ka plane të nënshkrimit të marrëveshjeve të tilla edhe me shtetet e tjera, me Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë dhe bëhet fjalë vetëm për marrëveshje bashkëpunimi në mes të misionit të Eulex-it me këto vende dhe assesi të institucioneve kosovare me vendet e tjera”, sqaroi ministri Zenun Pajaziti.
Marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet në mes të misionit të EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë, ka të bëjë me bashkëpunimin policor dhe në menaxhimin e sigurisë në territorin e Kosovës dhe atë serb me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe krimit kufitar. (Shkelzen Osmani, alsat)
Shtuar më 16/08/2009, ora 16:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori