Paguan një ushtri njerëzish për propagandë, Rama lë nam me ftesën për Vitin e Skënderbeut (FOTO LAJM)

Pëlqej
Kryeministri Rama ka shpërndarë një numër të madh ftesash tek personazhet të njohur në vend për të marrë pjesë në çeljen e kremtimeve për Vitin e Skëndërbeut. Por, edhe pse Rama ka treguar se i vë re detajeve dhe paguan një numër të madh njerëzish për kurimin e imazhin duket se ka harruar të marrë një korrektore për tekstin e ftesave.


Një profesor i njohur i Gjuhës Shqipe, i cili nuk ka dashur të identifikohet ka analizuar për "GSH" edhe tekstin plot gabime të Ramës.

Analiza

“Vërtet ka shumë gabime. Fjalët e shkruara gabim i kam shkruar si duhet me blu; presjet, pikat e vizat i kam shënuar në krye e në fund të ftesës ose dhe në tekst.
Ka epitete jologjike: i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm (?!).
Ka karakterizime jo të duhura: në një ikonë gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive.

Ne Skënderbeun e nderojmë jo se u kthye në një ikonë a burim frymëzimi për artet etj., po se vepra dhe emri i tij i shërbyen bashkimit të shqiptarëve, duke shërbyer si tharm për formimin e kombit shqiptar”, – tha dje një autoritet i gjuhës shqipe në kushtet e anonimatit.
Në vijim, ai shënon “është edhe kjo: të bashkuar me të gjithë shqiptarët në diasporë (po trojet etnike: Mali i Zi, Maqedoni, Greqi?)”.

Sipas tij, ky tekst duhej konsultuar me një historian dhe pastaj duhej korrektuar. “Unë besoj se, po ta kishte shkruar me dorën e tij Edi, nuk do të kishte bërë kaq gabime. Vaj halli kur edhe në Kryeministri nuk ka një korrektor për të qenë!”

NGA KRITIKA NË BATUTË
Një shkrimtare nuk e kurseu ironinë. “Thua të dijë gjë kryeministri se ç’flitet ‘shqip’ në emër të tij? Mirë shkallëzimet e mbiemrave dhe miksimet kuptimore të mbivendosur panatyrshëm, por kjo fjala ‘amëshim’ e shkruajtur me ‘ë’! O Skënderbeu ynë ‘i pashfaqshëm’. ‘Imago mundi të përveçëm’! Kush mund ta ketë formuluar, vallë? Qesh se nuk qaj dot”, shkruante ajo.

Një studiues, thotë se fjala i “pashfaqshëm” nuk ka kuptim në këtë ftesë. “Pikërisht se ishte i shfaqshëm Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i bëri ballë për 25 vjet fuqisë më të madhe ushtarake të botës në atë kohë”. E gjen pa vend edhe fjalën “u tjetërsua”, ashtu si edhe frazën “trupi vdekatar”. Në fund, vëren: “gjithëpërfshirëse gjalluese” – ky togfjalësh të bën të të vijë keq, shumë keq për gjuhën shqipe, me iu dhimbtë gurit e drunit, i shkreti Dhaskal Todri…”.

FTESA
Po sjellim më poshtë tekstin e ftesës që kryeministri Edi Rama ka shpërndarë dje, ose që është shpërndarë në emër të tij dhe në emër të Komisionit Shtetëror.

LOGOJA- Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut
I paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm sa ishte i gjallë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftëtari, shtetari dhe arbërori urëlidhës mes dritëhijes mesjetare dhe humanizmit të ndriçuar europian, u tjetërsua 550 vjet më parë, prej një trupi vdektar, në një imago mundi të përveçëm, në një ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive, në një Yll të shëndrritshëm mëngjesi diktues të drejtimit të duhur të ardhmërisë së Shqiptarëve.

Të bashkuar me të gjithë shqiptarët në Diasporë.
Z.Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
dhe Komisioni Shtetëror për organizimin e veprimtarive në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut
Kanë kënaqësinë e veçantë t’Ju ftojnë të merrni pjesë në çeljen e kremtimeve “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, me rastin e 550-vjetorit të kalimit në amëshim të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

(Pajisuni me ftesën dhe një kartë identiteti në hyrje
Konfirmoni pjesmarrjen tuaj pranë Protokollit të Kryeministrit
Kodi i veshjes: kostum i errët, veshje kombëtare, tailleur për Zonjat).

Ditën e martë, 16 janar 2018 në orën 17:45 Në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe ora 19:30 në Pallatin e Brigadave.
Shtuar më 12/01/2018, ora 14:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori