Padia kunder Del Pontes, Kosova po vonohet
Albeu.com
Institucionet e Kosovës janë vonuar që të ngrenë padi kundër ish-prokurores Karla Del Ponte për shkak të shpifjeve të saj për kinse krimet që ka kryer UÇK-ja ndaj serbëve, pasi që ajo përmes shpifjeve të saj ka dëmtuar imazhin e Kosovës para syve të botës.Në Qeverinë e Kosovës duket se nuk janë të disponuar që të flasin në lidhje me këtë çështje. Derisa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duket se nuk ka “kohë” që ta çojë telefonin për t’u përgjigjur, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, nuk ka dashur që të deklarohet lidhur me atë nëse institucionet e Kosovës do të ngrenë padi kundër Del Pontes, me arsyetimin se ndodhet në pushim!

Prapavija politike
Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka thënë se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës lidhur me pretendimet serbe për trafikim organesh të civilëve serbë, ka prapavijë politike. “Kjo çështje është hetuar disa herë nga Tribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavi i themeluar në Hagë dhe nuk ka rezultuar që luftëtarët e UÇK-së të kenë marrë ndonjë veprim në drejtim të hetimit që tani është duke u bërë nga Këshilli i Evropës. Nga ana tjetër, Këshilli i Evropës është i përbërë nga 46 shtete, që të gjitha ato janë anëtare të OKB-së”, ka thënë Kelmendi. Ajo nuk përjashton mundësinë që të përgatisin një padi kundër shpifjeve të Del Pontes, duke përkujtuar se Policia e Kosovës ka arrestuar tre serbë nën dyshimin se u kishin ofruar sasi të mëdha parash njerëzve për të dhënë dëshmi jo të vërteta se kishin qenë viktima të trafikimit me organe të serbëve gjatë luftës në Kosovë.

Gashi: Kjo vepër është vjetërsuar
Avokati Tomë Gashi konsideron se në aspektin ligjor është e pamundshme që të ngrihet padi kundër Karla del Pontes për shpifje, sepse ajo vepër është vjetërsuar. “Secili që e ka konsideruar se është i dëmtuar me deklaratën e Del Pontes dhe se ajo përmban shpifje apo edhe fyerje, ka pasur mundësi ligjore që eventualisht të ngrejë padi penale kundër saj në afat prej tre muajve pasi që e ka marrë vesh për përmbajtjen e shkrimeve të saj shpifëse dhe fyese në librin e saj. Thuajse secili që paralajmëron padi të tilla e dinë se ka të bëjë vetëm me marketing të vetin personal dhe se asgjë nuk mund të bëhet në këtë sferë të ndjekjes ligjore kundër Del Pontes”, ka thënë për “Kosova Sot”, avokati Gashi. Sipas tij, Kosova është vonuar shumë në ngritjen e padisë penale për shpifje dhe për fyerje nga ana e Del Pontes. “Karla Del Ponte e ka shkaktuar tashmë dëmin në aspektin ndërkombëtar dhe na mbetet që të riparojmë këtë dëm me lejimin e hetimeve të pavarur për të cilat edhe ashtu askush nuk është duke kërkuar leje nga ne si Kosovë dhe e dimë se rezultati do të jetë se nuk ka prova për thëniet e Del Pontes”, shprehet Gashi.

Hasani: Del Ponte është shërbyer me akuza të UDB-së serbe
Nait Hasani, deputet nga radhët e PDK-së, thotë se akuza që i ka bërë Kosovës dhe institucionit të shenjtë në Kosovë UÇK-së ish-prokurorja e Hagës Karla Del Ponte është një turp i radhës në dështimet e Gjykatës së Hagës. Sipas tij, institucionet e Kosovës ka qenë dashur që herët po dhe tash duhet të ngrenë padi kundër këtyre akuzave të prokurores për shpifje dhe denigrim të vlerave të luftës çlirimtare në Kosovë të organizuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Del Ponte është shërbyer me akuza të UDB-së serbe për të gjitha mashtrimet që Serbia i ka bërë kundër UÇK-së. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës duhet të reagojnë ndaj kësaj deklarate dhe akuzave të saj. Po akuzë është dashur të ngrenë edhe Oda e Avokatëve dhe Ministria e Drejtësisë”, ka thënë për “Kosova Sot” Hasani. Ai thotë se mos ngritja e akuzës kundër prokurores tregon se institucioni i drejtësisë është i paaftë t’i përgjigjet kohës dhe situatave në mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës dhe në mbrojtje të vlerave të saj. (kosovasot)
Shtuar më 16/08/2009, ora 18:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori