Padi ndaj Kserës, AK : Shqiptarët të njohin zyrtarët që punojnë për qarqet antishqiptare
Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi kanë dorëzuar sot kallëzimin penal kundër Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera “për shpërdorim të detyrës dhe funksionit të lartë duke financuar individë që kontribuojnë në destabilizimin e jugut”.

Në një deklarate për mediat, sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në AK Rezar Balla u shpreh se ky është kallëzimi i parë penal ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë së kryeministrit Berisha.



“Sapo dorëzuam kallëzimin penal ndaj Ministrit të Punës, Spiro Ksera, i cili me paratë e taksapaguesve shqiptarë paguan prej katër vitesh Theofan Kaliviatis, i cili është kreu i organizatës për “Pavarësinë e Vorio Epirit”. Pak ditë më parë Aleanca Kuq e Zi denoncoi këtë skandal të paprecedent të një zyrtari të lartë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha. Ne kërkojmë që Prokuroria e Përgjithshme të nisë sa më parë hetimin zyrtarë për shtetasin Spiro Ksera dhe të marrë të gjitha masat që ky zyrtar të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi të parashtruara në kallëzimin penal të Aleancës Kuq e Zi”, deklaroi Balla.

Sipas Ballës ky kallëzim vjen në kuadër të fushatës se prezantuar nga Aleanca Kuq e Zi “Fytyrat e Krimit”.

“Ky është kallëzimi i parë penal ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha, kallëzim i cili lidhet më akte që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ky kallëzim hap siparin e dhjetëra kallëzimeve të tjera që ne do t’i bëjmë publike në periudhat që do të pasojnë, dosje që janë të përgatitura nga Departamenti Juridik i Aleancës Kuq e Zi. Ka ardhur koha që shqiptarët të njohin realisht se cilët janë zyrtarët e lartë që punojnë për qarqet antishqiptare dhe që paguhen me paratë e shqiptarëve. Është koha për ndëshkimin e tradhtarëve dhe koalicionit që ka shitur, po shet dhe do të shesë interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundoi Balla. /albeu.com/
Shtuar më 08/02/2013, ora 11:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori