Pacolli paralajmeron njohje te reja
Albeu.com
Pas bastisjeve në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk duhet lëshuar në spekulime dhe paragjykime, dhe se organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e vet në mënyrë të pavarur.
Me rastin e aderimeve të reja në degën e AKR-së në Gjilan, numri një i AKR-së në një konferencë për media të shtunën kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të besojnë në gjyqësinë e lirë dhe të pa politizuar, duke thënë se çdokush është i pafajshëm deri në përfundimin e hetimeve.

“Për mua është çdokush i pafajshëm deri te momenti kur gjyqtarët, gjegjësisht institucionet gjyqësore të japin verdiktin e vet, por unë i bëj thirrje çdokujt që të besojë në gjyqësi dhe gjyqësia të jetë e pa politizuar, të jetë e lirë dhe të kryejë punën e vet”, ka thënë Pacolli.

Për sa i përket lobimit për njohje, kreu i AKR-së ka nënvizuar nevojën e një angazhimi më të madh në këtë drejtim, ndërsa ka bërë të ditur se ai është duke vazhduar lobimin e tij për njohje, pa dashur të zbulojë se nga cilat shtete pritet të arrijnë njohjet e reja.

“Do të ketë njohje. Njohjet nuk janë vetëm duke i nxjerrë nga xhepi si vizitkarta, por duhet një punë e madhe, një nismë e tyre, punë intensive dhe kjo punë është në vazhdim e sipër”, ka thënë Pacolli.

Kreu i AKR-së ka prezantuar njëzet anëtarët e ri që kanë aderuar në degën e kësaj partie në Gjilan, duke thënë se inkuadrimi i kuadrove të reja e fuqizojnë partinë që ai drejton.

Njëri nga të aderuarit e ri në AKR, magjistri i shkencave juridike, Vahid Qerimi, ka thënë se ka vendosë të aderojë në këtë subjekt politik duke parë sinqeritetin dhe angazhimet e kryetarit Pacolli, i cili çdoherë sjellë njohje të reja.

“Kam kënaqësinë time që t’i bashkëngjitem këtij subjekti politik, i cili është subjekt i ri, me orientim liberal demokratik, me një president, i cili është i shkëlqyeshëm dhe na sjell njohje të reja vazhdimisht. Premtimet i realizon, prandaj mendoj që nuk kam gabuar në momentin që kam vendos të aderojë në këtë subjekt politik”, ka thënë Qerimi.

Përfaqësuesit e degës së AKR-së në Gjilan kanë paralajmëruar se për çdo muaj do të kenë prezantime të aderimeve të kuadrove profesionale, të cilët do të kenë mundësinë që kontributin e tyre ta japin në AKR. (kosovapress)
Shtuar më 15/05/2010, ora 16:23
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori