Pacolli nderohet me çmimin "Qytetar Nderi i Lezhës"
Pëlqej
Disa muaj pas nderimit nga Unioni i paqes në Botë me titullin "Kalorës i Paqes i Mijëvjeçarit", presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli u nderua nga Këshilli Bashkiak i Lezhës me çmimin "Qytetar Nderi i Lezhës".

Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi në mesin e mysafirëve nga Kosova, kishin ardhur edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Lezhës. Në shenjë respekti për të zgjedhur lokalë të këtij Këshilli, i pari në gjithë hapësirën kombëtare që e ka nderuar z. Pacolli me titullin “Qytetar Nderi”, me dëshirën dhe kërkesën e vetë të zgjedhurve.

Fillimisht në ceremoni u shfaqën dy dokumentare ku në pika të shkurta u prezantua historia e qytetit të Lezhës si dhe veprimtaria humaniste të z. Pacolli. Pas ceremonisë së ndarjes së këtij çmimi, fjalën e mori presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili u shpreh i nderuar nga ky vlerësimi i cili është i pari në llojin vet që vjen nga vendi amë.

“Kam marrë nderime nga shtete të tjera, por jo nga vendi im apo nga Shqipëria”, tha ai. Më pas, Pacolli iu premtoi përfaqësueseve që kishin ardhur nga Lezha se si qytetari më i ri i Lezhës do të punojë dhe do të angazhohet që ta ndihmojë këtë qytet. “Ju më hapët derën e qytetit tuaj dhe unë ndihem i nderuar për këtë. Besoj se tash e tutje me këtë çelës që më keni dhënë, do kem të drejtë të vij sa herë të më bjerë rruga dhe sa herë ju të më ftoni. Lezha, është Qyteti i besëlidhjes së burrave më të mëdhenj shqiptarë që nën udhëheqjen e Skënderbeut morën vendim për t'i rezistuar të bashkuar pushtuesit”, tha ai.

Më pas fjalën e mori kryetari i Këshillit Komunal të Lezhës, Frano Kulli, i cili tha se vendimi për ndarjen e çmimit “Qytetar Nderi i Lezhës” ka ardhur si motivacion për kontributin dhe punën e madhe të z. Pacolli si biznesmen dhe humanist në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. “Nuk ka qenë vendim i rastësishëm por duke analizuar të gjithë punën humaniste si dhe veprimtarinë e tij për çështjen kombëtare e veçanërisht për lobimin e jashtëzakonshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kjo është më së paku që mund të bënim”, u shpreh ai.

Ndërsa duke e falënderuar z. Pacolli për veprimtarinë e tij, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha i përshëndeti të pranishmit duke thënë se është një ndjenë e veçantë për të që gjendet në Kosovën e lirë dhe të pavarur. “Kur pashë insertin e z. Behgjet Pacolli, u mahnita nga përkushtimi dhe puna e palodhshme e tij dhe se si mundet një individ i vetëm të arrijë në një dimension të tillë. Behgjet Pacolli e ka ngritur emrin e shqiptarëve në botë me punën dhe humanizmin e tij”, tha ai.

Vendimi për ndarjen e këtij çmimi ishte marrë në unanimitet nga Këshilli Bashkiak i Lezhës me datë 03.09.2010 për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Qytetit të Lezhës z. Behgjet Pacolli, President i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe humanistit të njohur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Shtuar më 20/11/2010, ora 17:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori