Pack: Mitrovica nuk ndahet duke krijuar probleme
Albeu.com
Serbët e veriut të Kosovës nuk guxojnë të besojnë në premtimet se Mitrovica, nëse vazhdimisht bën probleme, në fund do të ndahet nga Kosova, theksoi anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar situatën në Kosovë, pas incidenteve të fundit, e veçanërisht pas eksplodimit të së premtes, i tha REL-it se serbët nga veriu i Kosovës nuk duhet të lejojnë që Beogradi të manipulojë me ta dhe as që guxojnë të besojnë në premtimet se Mitrovica, nëse vazhdimisht bën probleme, në fund do të ndahet nga Kosova.

“Kjo nuk do të ndodhë. Në vend që t’i përmbushin urdhrat e goditjes së sistemit në Prishtinë, do të ishte e mençur që të pranojnë të jetojnë në paqe me të tjerët, pasi kjo është vendlindja e tyre e vetme. Bashkësia ndërkombëtare është në vendin e ngjarjes, por ajo nuk mund të bëjë asgjë nga ajo që aktualisht po bën”, theksoi Pack.

Ajo vlerësoi se përcaktimi i bashkësisë ndërkombëtare është që ta mbështesë decentralizimin, dhe kjo është ajo që Qeveria në Prishtinë po e bën, kështu që sipas saj në mjediset ku serbët janë bashkësi shumicë, ata vendosin.

Sipas kësaj deputeteje, njohëse e rrethanave në Ballkan, para se të ndodhë integrimi i Serbisë në BE , “ajo që në minimum do të jetë e domosdoshme, është që Beogradi të vendosë raporte normale me Prishtinën, që kufiri të jetë i kalueshëm e i butë dhe që njerëzit nga anët e ndryshme të mos konsiderohen si armiq. Raporte të tilla mund të vendosen pavarësisht se a njihet Kosova si shtet apo jo”. (rel)
Shtuar më 06/07/2010, ora 15:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori