Qeveria italiane ndalon ndihmën për qytetarët e papunë dhe ata me të ardhura të ulëta

Qeveria e Giorgia Melonit ka vendosur që nga nesër, 1 gusht, institucioni italian i sigurimeve shoqërore të ndalojë dhënien e “të ardhurave sociale” për qytetarët e papunë dhe me të ardhura të ulëta. Kjo është një masë e miratuar nga qeveria e parë e Giuseppe Conte, në mars 2019, me qëllim mbështetjen e qytetarëve më të varfër të vendit dhe mesatarisht korrespondonte me 550 euro në muaj.

Njoftimi zyrtar u bë gjatë fundjavës përmes një mesazhi SMS dërguar mijëra telefonave celularë. Kjo masë ka të bëjë me familjet në të cilat ka qytetarë që konsiderohen të aftë për të kërkuar një punë të re. Por vendimi shkaktoi pakënaqësi, veçanërisht në shumë rajone të jugut italian me një shkallë të lartë papunësie.

Qeveria e Romës ka miratuar një masë të re, të cilën e quajti “të ardhura nga përfshirja sociale” dhe sipas asaj që u vendos, nuk i kalon 6000 euro në vit.

Në të njëjtën kohë, kushdo që nuk ka të drejtë të marrë këtë ndihmë do të mund të aplikojë për grant prej 350 euro në muaj për një periudhë njëvjeçare, me kusht që të ndjekë njëkohësisht kurse të formimit profesional.

Opozita e qendrës së majtë dhe Pesë Yjet akuzojnë qeverinë Meloni se, duke hequr “të ardhurat sociale”, ka nisur në mënyrë efektive një “luftë kundër qytetarëve më të varfër”.

Kryeministrja italiane dhe partitë që mbështesin qeverinë e saj përgjigjen megjithatë se këto janë masa që nuk mund të kthehen në ndihma të përhershme, veçanërisht për këdo që mund të tentojë të ribashkohet në tregun e punës.


Shtuar 31.07.2023 13:54