Pa autonomi veprimi
Albeu.com
Partitë e shqiptarëve në Maqedoni zgjerojnë horizontin e “përforcimeve” parazgjedhore në Tiranë dhe Prishtinë.Përfaqësuesit e partive politike thonë se në asnjë rast nuk dëshirojnë ta humbin fokusin e politikës autentike karshi elektoratit shqiptar në Maqedoni. Takimet me subjektet dhe figurat shqiptare jashtë Maqedonisë, i shohin në frymën e bashkëpunimit dhe në frymën e zhvillimeve në rajon

Periudha parazgjedhore zakonisht intensifikon takimet e partive politike shqiptare në Maqedoni, me figura dhe subjekte politike në Shqipëri dhe Kosovë. Vajtje-ardhjet, duket se kërkojnë të “përforcojnë” pozicionin parazgjedhor të partive, në frymën e “bashkëpunimit”. Përfaqësuesit e partive politike vlerësojnë se këto takime janë në dobi të platformave të tyre, të cilat në asnjë rast nuk humbin nga fokusi autenticitetin politik karshi elektoratit shqiptar në Maqedoni.
Deputeti i partisë shqiptare në pushtet - Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rafiz Haliti tha se kjo parti nuk ka praktikuar një gjë të tillë dhe nuk do të praktikojë edhe në të ardhmen, pasi që popullata shqiptare në Maqedoni ka specifikat e veta dhe është shumë normale që të insistohet në politik autoktone. “Mendoj se nuk kemi nevojë që në fushatën zgjedhore, as ne e as partitë tjera të kërkojmë ‘përforcime’, apo që dikush nga Shqipëria apo nga Kosova të ushtrojë ndikimin e tij, qoftë te strukturat partiake, qoftë te elektorati gjatë fushatës zgjedhore”, tha ai. BDI-ja në takimet paraprake që mbahen para zgjedhjeve me subjektet politike, qoftë me ato të Shqipërisë apo të Kosovës, koordinon punët për gjëra të ndryshme. Haliti vlerëson se elektorati shqiptar, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe në Maqedoni, ka një nivel mjaft të lartë të pjekurisë politike dhe di të gjykojë, e nuk bazohet në atë se çfarë bëhet në vlugun e zgjedhjeve.
Për deputetin e partisë shqiptare në opozitë - Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Iljaz Halimin bashkëpunimet janë të preferuara, ngase çdoherë mendohet se nga këto bashkëpunime mund të ketë përfitime edhe në interes politik, por edhe në interes kombëtar. “Synimi i bashkëpunimit të PDSH-së me partitë tjera politike, është që ajo të sigurojë një mbështetje për platformën e saj, natyrisht në aktivitetin që ajo e zhvillon, në dobi të shqiptarëve, qytetarëve tjerë dhe në dobi të interesit rajonal”, tha ai. PDSH-ja nuk do të kishte pranuar të bashkëpunojë në dëm të politikës së saj autoktone. Krijimin e një rrjeti të miqve dhe mbështetësve të platformës së PDSH-së, Halimi e sheh si mundësi për të maksimalizuar kapacitet e partisë. “Kjo do të ishte një bazë e fuqishme për avancimin më të shpejtë të të drejtave të shqiptarëve, e me këtë edhe të vet pozitës së tyre”, thotë ai.
Sipas deputetit të partisë tjetër shqiptare në opozitë - Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Ismet Ramadani udhëheqësit e partive politike në Maqedonie dinë se elektorati shqiptar është gjithnjë i interesuar dhe në një mënyrë dëshiron që të bashkëpunohet me udhëheqësitë politike në Shqipëri dhe Kosovë. “Gjithnjë është tentuar dhe është bërë në forma të ndryshme që udhëheqësitë e partive politike në Maqedoni të takohen me udhëheqësitë dhe institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, duke pritur që këto takime të kenë reflekse pozitive edhe në politikën shqiptare këtu në Maqedoni”, thotë ai. Sipas tij, udhëheqësit janë të vetëdijshëm se duhet të zhvillohet politik autoktone, që iu përket interesave, qofshin atyre politike, ekonomike sociale të elektoratit shqiptar këtu. Ramadani vlerëson se kjo është vetëm një formë, një segment dhe në një mënyrë plotësohet një dëshirë e elektoratit për udhëheqësitë e partive politike në të cilat ata besojnë ose janë përcaktuar. “Disa janë më shumë të lidhur me provenienca të majta, e disa me të djathtat, por sido që të jetë kjo gjithnjë ka qenë e pranishme dhe do të jetë. Ndonjëherë kur shkohet në sinqeritet pak më të madh në këto takime është edhe interesi për shkak të zhvillimeve në rajon, sidomos zhvillimeve në Kosovë”.
BARDHYL ZAIMI, Lajm
Shtuar më 28/04/2006, ora 09:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori