Ose në Kosovë, ose në Serbi!
Albeu.com
Dyshtetësia e paraparë me Planin e Ahtisaarit, në asnjë mënyrë nuk u jep të drejtë serbëve kosovarë të votojnë për institucionet e Serbisë, as në Kosovë, siç kanë vepruar deri tash, e as duke shkuar në Serbi, apo nëpërmjet votimit elektronik.Ndryshe, nëse kjo do të lejohej për serbët kosovarë, atëherë, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare Private në Universitetin e Prishtinës, Asllan Bilalli, edhe shqiptarët në Serbi do të duhej të votonin për institucionet
shtetërore në Kosovë, apo hungarezët e Serbisë për institucionet shtetërore të Hungarisë.
"Asnjë serb i Kosovës nuk mund të votojë për një shtet tjetër, edhe pse mund ta ketë dyshtetësinë. Kjo praktikë nuk është e lejueshme askund në botë. Nëse një person i ka pesë nënshtetësi, atëherë a duhet ai që të votojë në pesë shtete të botës? Jo, nuk mundet. Askund nuk lejohet që individi që jeton në një shtet, të shkojë dhe të votojë për një shtet tjetër. Serbët jetojnë në Kosovë dhe duhet të votojnë vetëm për institucionet e Kosovës", tha Bilalli për "Lajm" të enjten.
Dyshtetësia që është paraparë në nenin 1.6 të Aneksit I mbi Dispozitat Kushtetuese të Planit të Ahtisaarit nënkupton edhe të drejtat dhe detyrimet e dyfishta që mund t'i ketë një qytetar dhe kjo automatikisht, sipas Bilallit, e detyron atë qytetar t'i paguajë edhe obligimet për shtetin e dytë. Por,
nënshtetësia është efektive, vetëm në shtetin ku jeton dhe punon ai qytetar, që nënkupton edhe kryerjen e obligimeve, taksave dhe tatimeve shtetërore. Bilalli gjithashtu e kundërshton praktikën e organizimit të fushatave parazgjedhore apo mitingjeve të liderëve të Serbisë nëpër lokalitete të Kosovës.
"Nëse organet e Serbisë vijnë e bëjnë fushatë dhe propagandë zgjedhore në Kosovë, atëherë kjo konsiderohet përzierje flagrante e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Institucionet e Republikës duhet të reagojnë publikisht apo duke komunikuar me homologët e tyre në Serbi që kjo
praktikë të ndërpritet".
Sidoqoftë, liderët e Serbisë vazhdimisht kanë bërë fushata parazgjedhore, kanë organizuar dhe mbajtur zgjedhje në Kosovë, në të cilat kanë votuar edhe serbët kosovarë, të cilët njëkohësisht i kanë mohuar zgjedhjet për institucionet e Kosovës. Këtë praktikë ndërkaq as nuk e ka lejuar, e as
nuk e ka penguar UNMIK-u, ndërsa institucionet e Kosovës kanë heshtur. Njëjtë, liderët e Serbisë do të provojnë të veprojnë edhe në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale dhe për Parlamentin e Serbisë, që mbahen më 11 maj të këtij viti, ku pritet të marrin pjesëedhe serbët e Kosovës. Qeveria e
Kosovës, ndërkaq, ende nuk ka ndonjë qëndrim. "Zgjedhjet e Serbisë mbahen vetëm në Serbi dhe i interesojnë vetëm popullit serb. Kosova është një vend i mundësive të barabarta dhe Qeveria e Kosovës do ta marrë
vendimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e saj", tha të enjten për
"Lajm" zëvendëskryeministri i Republikës, Hajredin Kuçi.
Politologu Behlul Beqaj thotë se nëse Kosova është shtet sovran, atëherë duhet t'i ndalojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe votimin e serbëve të Kosovës për institucionet e Serbisë. "Problemi është se serbët kosovarë nuk po e pranojnë realitetin, por ata nuk janë më në shtetin e Serbisë, po në atë të Kosovës", tha Beqaj për "Lajm".
Shtuar më 15/03/2008, ora 17:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori