Ardi Veliu kalon me sukses “Vetting-un”

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

“Sita” e Vettingut tregoi se ai nuk kishte probleme me pasurinë, as me pastërtinë e figurës dhe as me aftësitë profesionale.

Kryepolici Veliu ka deklaruar një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë euro, i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa ka shtuar se ka paguar deri më tani 37 mijë euro. Aktualisht, së bashku me bashkëshorten e tij, Veliu ka deklaruar se jeton në një shtëpi me qira në Tiranë.

Veliu ka deklaruar dhe një kredi 5 milionë lekë dhe të ardhura familjare. Mbi këto të ardhura, ai ka deklaruar 750 mije lekë të depozituara. Ndërkohë ka edhe 5 mijë euro në bankë nga shitja e një automjeti. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 2 milionë e 400 mije lekë të dhuruara nga prindërit.

Në deklaratën e prindërve të bashkëshortes së Veliut thuhet se shuma është dhuruar pas shitjes së një apartamenti në Vlorë. Sipas komisionit dhurimi është vlerësuar i ligjshëm.

Sipas komisionit të Jashtëm të Vlerësimit të efektivëve të policisë, ka përputhje të deklarimit të drejtorit të Policisë së Shtetit, me të dhënat e marra nga institucionet. “Subjekti ka kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin. Nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk e ka fshehur pasurinë”, u shpreh komisioni.


Shtuar 7.02.2020 08:59