OSBE ”rrëzon” Trump-in: Votimet në SHBA, pa manipulime
Megjithë pandeminë, paditë ligjore dhe retorikën e fortë politike, vëzhguesit e huaj të zgjedhjeve dolën me konkluzionin se nuk ka pasur probleme sistematike apo manipulime nga asnjëra parti gjatë votimeve amerikane.

Ursula Gacek, e cila kryesoi ekipin e vëzhguesve të huaj që erdhën në SHBA në fund të shtatorit për të studiuar kushtet në përgatitje për zgjedhjet, nënvizoi se pati raste të izoluara parregullsish – ato që ajo i cilësoi si “incidente të vogla, personale, nga persona të veçantë” — disa prej të cilave shpjegohen në hollësi në komentet shoqëruese të raportit. “Por asgjë,” thotë ajo, “që do të ndikonte thellësisht për të tronditur besimin te sistemi”.

Rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit mbetej ende i paqartë të mërkurën kur ekipi i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) zhvilloi konferencën për shtyp në Uashington.

Michael Georg Link, kreu i misionit afat-shkurtër vëzhgues nga asambleja parlamentare e grupit, lavdëroi qeverinë amerikane e cila e ftoi misionin, duke u shprehur se ka “forcën të tregojë se askush nuk është i përsosur”.

Ai shtoi se “çdo demokraci… përfiton nga shkëmbimi i praktikave më të mira që e ndihmojnë të vazhdojë të përmirësojë sistemin zgjedhor ku është e nevojshme”.

Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ta ftojnë OSBE-në si vëzhguese në zgjedhje. Megjithëse emri i organizatës përmend Evropën, edhe SHBA, Kanadaja, si dhe disa vende të Azisë Qendrore janë anëtare të OSBE-së, e cila u themelua gjatë Luftës së Ftohtë. Antarësia në OSBE kërkon që të ftohen ekipe vëzhguese për të ndjekur zgjedhjet në mënyrë që të gjitha vendet anëtare të mbahen përgjegjëse për të njëjtin standard transparence.

Ekipi i zotit Link që erdhi në SHBA me mision vëzhguesi, mbërriti që në shtator dhe disa prej anëtarëve do të qëndrojnë edhe për 10 ditë të tjera, ose edhe më gjatë nëse vazhdon numërimi i votave.

Raporti që nxorën dy grupet të mërkurën vëren se zgjerimi i mundësisë për të votuar me postë për ta bërë procesin më të sigurtë në kohë pandemie ka çuar në më shumë se 400 padi gjyqësore në 44 shtete, disa prej të cilave vazhdonin edhe ndërkohë që vazhdonte votimi. Ky fakt, tha zonja Gacek, kishte ndikimin e presionit për “ndryshimin e rregullave të lojës ndërkohë që kishte filluar loja”.

Përveç ndërlikimeve të pandemisë, retorika gjatë fushatës së këtij viti komentohet në raport si problematike, sidomos nga kampi zgjedhor i Presidentit Trump. Shqetësim i veçantë përmendet lidhur me “përdorimin nga presidenti të deklaratave diskriminuese dhe negative kundër individëve mbi bazë të gjinisë apo origjinës së tyre”.

Raporti gjithashtu veçon refuzimin e Presidentit Trump për të deklaruar se do të respektonte kalimin paqësor të pushtetit, nëse humbiste zgjedhjet. Sipas autorëve, shprehja e mosbesimit prej tij lidhur me votimet me postë dëmtoi besimin e publikut në institucionet shtetërore.

Në komentet për median të mërkurën, zoti Link tha “Askush, asnjë politikan, asnjë zyrtar i zgjedhur, askush nuk duhet të kufizojë të drejtën e votës. Pretendime të pabaza për probleme në sistem, si ato të ngritura nga presidenti, përfshirë edhe në natën e zgjedhjeve, dëmtojnë besimin në institucionet demokratike”.

Kur u pyetën më shumë se një herë nëse zgjedhjet e këtij viti ofrojnë dëshmi se demokracia amerikane po bën hapa prapa, si zoti Link, ashtu edhe zonja Gacek nuk pranuan të japin një vlerësim konkret:

“Ne nuk japim vlerësim pro ose kundër procesit. Kjo do të nënkuptonte një përfundim politik. Dhe ne nuk dalim me konkluzione politike,” tha zoti Link.

Zonja Gacek tha se vëzhguesit nuk krahasojnë as vende të ndryshme me njeri-tjetrin. Ata u referohen raporteve të mëparshme vetëm për të parë nëse janë zbatuar rekomandimet e dhëna. “Vetëm këtë bëjmë. Nuk bëjmë renditje apo analiza krahasasuese”.

Gjatë 18 vjetëve që ekipet e OSBE-së kanë vëzhguar zgjedhjet në SHBA, duke filluar nga zgjedhjet e mesmandatit në 2012, rekomandimet e bëra përfshijnë nevojën për dokumentacion më transparent mbi fondet e dhuruara për konkurrentët politikë për fushatë si dhe rikthimin e të drejtës së votës për ish-të dënuar për vepra penale, të cilët e kanë përfunduar dënimin.

Por duket se zyrtarët zgjedhorë kanë zbatuar vetëm pak nga këto rekomandime, gjë që u përmend në raportin e sivjetshëm.

“Rekomandimet janë thelbësore,” tha zonja Gacek, kur u pyet për rolin e vëmendjes së medias. “Disa nga rekomandimet e bëra në të kaluarën janë ende aktuale”.

“Për këtë arsye, sa më shumë interesim që ka për punën tonë, aq më pozitive është për ata që janë më të rëndësishmit për ne në këtë proces – votuesit amerikanë,” vazhdoi ajo.

Ndërkaq, numërimi i votave vazhdon dhe ekipi vëzhgues ende nuk e ka përfunduar misionin. Anëtarë të ekipit do të punojnë në javët në vazhdim për të analizuar të dhënat, përfshirë ekspertë ligjorë që do të ndjekin paditë gjyqësore, në mënyrë që të dalin me rekomandime lidhur me zgjedhjet e sivjetshme.

Zonja Gacek tha se ekipet do të shpenzojnë sado kohë që nevojitet para se të nxjerrin raportin e fundit. Por pa diskutim që do të ketë rekomandime, thonë ata./VOA/
Shtuar më 05/11/2020, ora 22:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori