OSBE, projekte për antikorrupsionin me bashkitë e Fierit dhe Lushnjës
Pëlqej
Prezenca e OSBE-së, me fonde të qeverisë italiane, ka ndërmarrë një projekt për të përmirësuar llogaridhënien dhe transparencën në bashkitë e Fierit dhe të Lushnjës dhe për të zvogëluar mundësitë për korrupsion. Një mjet kyç në arritjen e këtyre objektivave do të jetë fuqizimi i ndërveprimit me shoqërinë civile.

Memorandumi i mirëkuptimit për këtë projekt u nënshkrua sot në mjediset e Prezencës së OSBE-së, nga kryetari i saj, Ambasadori Florian Raunig, dhe kryetarët e bashkive të Fierit dhe Lushnjës, Baftjar Zeqaj dhe Fatos Tushe, në praninë e Konsullit të Parë të ambasadës italiane, Marcello Cavalcaselle.

“Korrupsioni gërryen fondet publike dhe besimin e qytetarëve tek institucionet. Por ekziston një kurë për këtë të keqe dhe ajo fillon me rritjen e transparencës dhe të ndërveprimit mes qeverisë vendore dhe qytetarëve. Në fund të këtij projekti, shpresojmë që institucionet të ofrojnë shërbime publike më të mira për qytetarët e Fierit dhe Lushnjës dhe të jenë më të përgjegjshëm ndaj tyre. Falënderojmë këto dy bashki për gatishmërinë për të filluar këtë qasje të re kundër korrupsionit së bashku me ne,” tha ambasadori Raunig.

Veprimtaritë e projektit përfshijnë një anketim për perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në bashki, një raport për vulnerabilitetin ndaj korrupsionit në bashki, me rekomandimet përkatëse, dhe përgatitjen e instrumenteve që bashkia mund të përdorë për të promovuar transparencën dhe përmirësuar besimin e qytetarëve te pushteti vendor. Organizatat e shoqërisë civile dhe bashkitë do të ndajnë përvojat e tyre në një seminar rajonal, i cili do të shërbejë për rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me masat antikorrupsion.
Shtuar më 29/09/2014, ora 14:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori