OSBE mbështetje grave në politikë
Prezenca në Shqipëri e Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë ka mbledhur sot në qytetin e Tropojës, gra aktive në qeverisjen vendore, partitë politike dhe shoqërinë civile, ku në një forum të posaçëm kanë diskutuar mënyrat e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike.

Pjesëmarrëset ranë dakord të përgatisnin një plan veprimi për të identifikuar kandidatet e mundshme për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011, si dhe për të ndihmuar në fuqizimin e forumeve të grave të partive politike në nivel vendor.

“Këto forume synojnë të rrisin numrin e grave, që do të garojnë si kandidate në zgjedhjet e ardhshme të qeverisjes vendore. Ato theksojnë nevojën, që partitë politike të respektojnë dispozitën e Kodit Zgjedhor, sipas së cilës listat e kandidatëve duhet të përmbajnë të paktën 30 përqind nga secila gjini,” tha Alenka Verbole, këshilltare e çështjeve të demokratizimit, në Prezencën e OSBE-së.

Në përfundim të veprimtarisë, pjesëmarrëset u bënë pjesë e xhirimeve të një emisioni televiziv lokal për nxitjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike.

Takimi në Bajram Curri ishte i katërti në një seri forumesh në qarkun e Kukësit.
Forumet organizohen në kuadër të projektit të Prezencës “Rritja e rolit të grave në qeverisje”, i cili financohet nga qeveria e Vendeve të Ulta dhe ajo e Suedisë.
Shtuar më 16/10/2010, ora 13:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori