OSBE: Drejtësia shqiptare, si e Nigerisë dhe Sierra Leones
Albeu.com
Sipas raportit, Shqipëria ka drejtësinë më të korruptuar në Evropë. Renditet në vendin e 127, ndër 158 vende të anketuara. Maqedonia është e 102-ta. 

nga Flamur Vezaj*

Niveli i lartë i korrupsionit, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, keqtrajtimi nga policia, vdekjet në burgje, mungesa e barazisë së palëve në proces, vendime të paarsyetura, dënime pa prova: këto janë disa nga të metat e sistemit shqiptar të drejtësisë, të botuara nga OSBE-ja në një raport të programit për zhvillimin e gjykimit të drejtë. Sipas raportit, simboli i drejtësisë, “zonja” me sy të lidhur dhe me peshore në dorë, është i dhunuar. Në këto përfundime kanë arritur ekspertët e OSBE-së pas një monitorimi që i kanë bërë sistemit gjyqësor shqiptar. Rezultat e raportit të këtij institucioni janë bërë publike mëngjesin e djeshëm, në një tryezë të zhvilluar në ambientet e “Hotel Tirana”, ku morën pjesë përfaqësues nga KLD, Ministria e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, kryetarë gjykatash, përfaqësues nga Dhoma e avokatisë, drejtorisë së Burgjeve.
Renditja
Sipas analizës së OSBE-së, në vitin 2005 Shqipëria u vlerësua me 2.3 pikë, bashkë me Nigerinë, Rusinë dhe Sierra Leonen dhe u rendit në vendin e 127 ndër 158 vendet e anketuara. Islanda, me 9.7 pikë arriti rezultatin më të lartë, ndërsa Çad-i me 1.3 pikë arriti më të ulëtin, sa i përket sistemit të drejtësisë. Shqipëria mori “notën” më të ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane, ndërsa Maqedonia u rendit në vendin 102, me një rezultat prej 2.7 pikësh. “Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar evropian dhe niveli i korrupsionit nuk është përmirësuar, por ka rënë gjatë tri viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka rënë nga vendi 92 në atë 127”,- thuhet në raportin e programit për zhvillimin e një gjykimi të drejtë të OSBE-së.
Korrupsioni
“Pavarësisht nga premtimi i qeverisë për të luftuar korrupsionin, përpjekjet kundër korrupsionit brenda gjyqësorit, deri tani nuk janë tejkaluar ndryshimet e ligjit për KLD-në si edhe ndryshimet e propozuara të ligjit për pushtetin gjyqësor”,-thuhet në raportin e përpiluar nga gjyqtarja suedeze, Mari-Ann Roos. Sipas saj, ia vlen të theksohet se pavarësisht nga niveli shumë i lartë i perceptuar i korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndaluar atë, me anë të miratimit të një plani veprimi. Sipas raportit, për të arritur në fundin e përbashkët të ekzistencës e korrupsionit aktual, dhe atij të perceptuar brenda sistemit të drejtësisë duhet të merren masa të vendosura. Si hap i parë është propozuar dhënia fund e lidhjeve të papërshtatshme ndërmjet anëtarëve të gjyqësorit dhe palëve në proces ose përfaqësuesve të tyre. “Një nivel i përshtatshëm i pagesës dhe përfitimeve të tjera është ndoshta një nga mënyrat më efikase për të imunizuar punonjësit nga korrupsioni”,-thuhet në raportin e prezantuar dje nga OSBE-ja.
Lidhjet e gjyqtarëve me palët
“Në Shqipëri, palët e çështjeve shihen shpesh t’iu ofrohen gjyqtarëve ose prokurorëve; prokurorët ose palët e tjera në një çështje janë parë ulur në zyrat e gjyqtarëve ose të hyjnë në sallat e gjyqit, së bashku me gjyqtarët. Avokatët mbrojtës janë parë duke pirë kafe me gjyqtarët. Palët u dorëzojnë dokumentet në dorë gjyqtarëve dhe jo nëpërmjet sekretarisë së gjykatës”. Këto janë disa nga të dhënat e monitorimit të bërë në gjykatat shqiptare. Më tej shtohet se në Tiranë, seancat zhvillohen çdo ditë në kushte jozyrtare, në zyrat e gjyqtarëve. Të gjitha këto janë shembuj të lidhjeve të papërshtatshme dhe të panevojshme ndërmjet anëtarëve të gjyqësorit apo prokurorëve. Ndonëse shumica e këtyre kontakteve mund të mos kenë pasoja penale, ato ndikojnë në krijimin e përshtypjes se gjyqësori është më i hapur se duhet ndaj kontakteve të papërshtatshme. Sigurisht, shumë marrëveshje dhe veprime korruptive, në veçanti ato më fitimprurëset, nuk bëhen në gjykata apo në zyrat e gjyqtarëve, por jashtë dhe nëpër kanale të tjera, me anë të ndërmjetësve.

Marrëveshjet korruptive

Sipas analizës së ndërkombëtarëve, një numër nëpunësish shtetërorë kanë qenë të implikuar, duke përfshirë edhe dy shefa policie, por asnjë prokuror apo gjyqtar nuk ka dalë para drejtësisë, me akuzën e korrupsionit. Ka pasur diskutime lidhur me emërimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Rrethit Lushnje, Artan Gjermeni, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo emërimin e Kryetares së Gjykatës së Apelit në Vlorë, Gjinovefa Gaba, në Gjykatën e Lartë. Veç kësaj, në vitin 2006 asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj anëtarëve të gjyqësorit apo prokurorisë. Megjithatë, edhe për çështjet që përmenden, shumë pak prova kanë dalë në dritë gjatë kohës së shkrimit të këtij raporti. “Në një marrëveshje korruptive, secila palë ka interesa për të mbrojtur. Veç kësaj, nëse sistemi i drejtësisë është aq i korruptuar sa duket, çdo person që punon në gjykatë apo prokurori, si dhe çdo avokat mbrojtës, ose është përfshirë vetë në korrupsion, ose njeh dikë i cili ka dhënë ose ka marrë ryshfet”,-thuhet në raportin e OSBE.

Masa e arrestit në burg

Shumica e vendimeve për caktimin e masës së sigurimit në gjykatë jepen arrest në burg. Sipas raportit të mësipërm, kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, pasi një masë e tillë nuk është në përputhje me kushtet dhe kriteret që kërkohen nga Kodi i Procedurës Penale. Heqja e lirisë së individit, arresti në burg e vendos atë në një situatë jashtëzakonisht delikate. Për këtë arsye, është e rëndësishme që heqja e lirisë të jetë sa më e kufizuar dhe që të ndiqen procedurat rigoroze të përcaktuara në dokumentet ndërkombëtarë, në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Të gjithë aktorët e përfshirë, që janë policia, prokuroria, gjyqtari dhe avokati mbrojtës, kanë gjithashtu një rol kyç në ruajtjen e këtyre standardeve dhe në marrjen e masave ndaj abuzimeve kundrejt personave apo veprimeve hetimore. Në këtë aspekt ka vend për shumë përmirësim në kontekstin shqiptar. * Shekulli

Shtuar më 04/11/2006, ora 10:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori