Opozita vazhdon greven
Albeu.com
Në ditën e 15-të, vazhdon greva e urisë e deputetëve të Partisë Socialiste dhe mbështetësve të tyre për transparencën e zgjedhjeve në çadrat e vendosura para ndërtesës së kryeministrisë në Tiranë.
Gjendja e grevistëve vazhdon të përkeqësohet, por grevistët shprehen të vendosur për vazhdimin e saj deri në plotësimin e kërkesave për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Deri dje 35 grevistë, janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Mbrëmë në bulevard është zhvilluar dhe protesta e madhe që PS kishte paralajmëruar pak ditë më parë, ndërkohë që ndërkombëtarët i kanë servirur klasës politike shqiptare marrëveshjen e cila do t’i japë fund krizës politike.

Ambasadori i OSBE-së Robert Bosh duke zbuluar këtë fakt i bëri apel dje liderëve politikë ta pranojnë kompromisin për hir të interesave të vendit.

Deputetët e opozitës kanë reaguar pozitivisht pas draftit të propozuar nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Deputeti socialist Bashkim Fino ka thënë se PS është e gatshme të pranojë draftin, por është në pritje të reagimit të kryeministrit Sali Berisha.

“Nuk kam ndonjë gjë teknike për të thënë për draftin e paraqitur, por nga komenti që bëri dje ambasadori i OSBE-së dhe nga deklaratat në protesta, ne jemi të gatshëm të pranojmë këtë draft. I ngelet topi në derë kryeministrit për të kthyer përgjigje sa më shpejt jo vetëm për të mbyllur këtë krizë politike që ka sot Shqipëria”, ka thënë Fino.

Opozita ka akuzuar kryeministrin Berisha për manipulim të zgjedhjeve të qershorit dhe kërkojnë hapjen e kutive të votimit. Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur kategorik kundër hapjes së kutive, duke thënë se nuk mund të dalë mbi vendimin e gjykatave.
Shtuar më 15/05/2010, ora 16:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori