Opozita: UNMIK-u e pengon zbatimin e Kushtetutës
Albeu.com
Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje ta zbatojë Kushtetutën e vendit përballë disa vendimeve që merr UNMIK-u dhe me këtë raportet dhe kompetencat ndërmjet këtyre dy institucioneve ende janë të paqarta. Kështu u shprehen përfaqësuesit e partive opozitare të Kosovës, pak pasi shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannieri ka deklaruar se ende qëndron në pronësi të kompetencave që ka pasur para 15 qershorit të këtij viti.

"Mendoj se raportet e qeverisë me shumicën e institucioneve ndërkombëtare nuk janë të nivelit që duhet me qenë. Duhet të dilet dhe t'i tregohet popullit se ende ka çështje për të cilat nuk vendosim krejtësisht vetëm, duhet të ketë guxim të thuhet, e të mos mashtrohet se tani ne kthehemi në situata të këtilla kur populli thotë ore janë këta qeveria apo nuk janë, ndërsa nga ana tjetër qeveria thotë se ne i marrim vendimet e në anën tjetër dikush i anulon", vlerëson Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mosprezenca e institucioneve të Republikës së Kosovës në çdo kënd të Kosovës dhe mosimpelemtimi i Kushtetutës së Kosovës, atëherë sjellë konfuzitet dhe paqartësi në raportin ndërmjet kompetencave të UNMIK-ut në njërën anë dhe institucioneve të vendit dhe kjo vjen si rezultat i neglizhencës se Qeverisë së Kosovës", thekson Lulëzim Zeneli nga Lidhja Demokratike e Dardanisë.

Ndërsa Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re mendon se “nëse ato vendime po supozojmë mund t'i marrë UNMIK-u dhe janë në dëm të Kosovës dhe interesave të saja, natyrisht se Qeveria e republikës dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet të regoajnë ashtu siç e përcakton edhe vet ligji".

Pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës sipas institucioneve do të implementohet në tërë territorin e Kosovës dhe se me këtë Kushtetutë edhe kompetencat shtetërore i takojnë Qeverisë së Kosovës, shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri ka deklaruar se në veriun e Kosovës duhet të formohet një polici etnike gjë që nuk parashihet edhe me aktin me të lartë të shtetit kosovar dhe kjo bie ndesh edhe me kompetencat e saj.(alsat-m)
Shtuar më 02/08/2008, ora 02:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori