Opozita, protestë në sheshin “Skënderbej”për Kushtetutën
Albeu.com
nga Aristir LumeziOpozita proteston për referendumin. Mijëra qytetarë të Tiranës, por dhe nga rrethet mbushën dje sheshin “Skënderbej” për të shprehur kërkesën e tyre për referendum në mbrojtje të Kushtetutës.Partitë opozitare, LSI-ja, PDS-ja, PAD-ja dhe Lëvizja për Politikë Institucionale, por dhe shumë faktorë të shoqërisë civile kishin zbritur në shesh bashkë me anëtarët dhe simpatizantët e tyre. Ilir Meta, Neritan Ceka, Paskal Milo, Petro Koçi, por dhe deputeti Luan Memushi dhe shumë socialistë, ish-deputetë kanë qenë të pranishëm dje në mitingun e opozitës. Ndërsa në mitingun e saj, opozita kishte dhe anëtarë të shoqërisë civile, si analistin Andrea Stefani, Henri Çili, Blendi Kajsiu dhe drejtuesi i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji. Flamuj nga të gjitha partitë opozitare, kryesisht nga LSI-ja dalloheshin qartë mes masës së gjerë të pjesëmarrësve, në sheshin qendror të kryeqytetit. Në thirrjet kryesore të pjesëmarrësve dalloheshin “Duan referendum”. Gjatë fjalimeve të politikanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, pjesëmarrësit kanë qenë shumë të vëmendshëm me mesazhet që adresoheshin tek ata dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të referendumit. Pas fjalimeve të protagonistëve të këtij mitingu, pjesëmarrësit në shesh i janë përgjigjur ftesës për të marshuar drejt Kryeministrisë përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë marshimit të qetë në këtë bulevard, qytetarët e Tiranës dhe ata të ardhur nga rrethet kanë parë forca të shumta policore, që ruanin godinën e Bashkisë së Tiranës, por dhe pak më poshtë, Kryeministria ishte gjithashtu nën masa të rrepta sigurie. Edhe pse kishim të bënim me një protestë paqësore, në mbrojtje të Kushtetutës, policia kishte marrë masa të rrepta mbi këto dy institucione, mbi drejtuesit e të cilave, njëri në maxhorancën qeverisëse dhe tjetri në drejtimin e PS-së, binin të gjitha akuzat për deformimin e Kushtetutës. Por pjesëmarrësit në protestë vunë re gjithashtu se, godina e Presidencës kishte shumë pak policë që e ruanin, as dhjetë të tillë, gjë që tregon se presidenti, kompetencat e të cilit janë ngushtuar me ndryshimet kushtetuese, nuk kishte kërkuar përforcime në institucionin që drejton. Pasi kanë mbërritur në shkallët e Korpusit të Universitetit të Tiranës, protestuesit janë kthyer drejt qendrës së kryeqytetit, ku ata që kishin ardhur nga rrethet u drejtuan për nga autobusët, ndërsa kryeqytetasit në vazhdimin e jetës normale të tyre.
Apeli
Të gjithë politikanët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, Andrea Stefani dhe Artur Zheji i bënë apel qytetarëve për të rimarrë të drejtën kushtetuese për të mbrojtur dokumentin themeltar që vetë populli e miratoi në 1998. Andrea Stefani në fjalën e tij tha se, “në Shqipëri nuk e kemi arritur demokracinë, se demokracia është një shoqëri që organizon zgjedhje”. “Mbas zgjedhjeve mund të vijë një regjim tiranik, mund të vijë një regjim fondamentalist dhe ajo që mbron të drejtat e njeriut nga tirania është ndarja e pushteteve, është pavarësia e gjyqësorit. Çfarë ka ndodhur me ndryshimet e befta kushtetuese. Pikërisht është ndryshuar Kushtetuta, duke i dhënë në dorë kryeministrit të vendit të gjithë pushtetet, duke nënshtruar nën këmbët e tij Parlamentin, presidentin dhe nëpërmjet tij drejtësinë”, u shpreh Stefani. Sipas tij, “korrupsioni që kërkon qeveria të luftojë, nuk luftohet me autoritarizëm. Korrupsioni luftohet me drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi aty ku nuk ka liri, aty ku Kushtetuta është dhunuar në mënyrë që autoritarizmi të bëhet pjesë e sistemit”. Ndërsa kreu i PDS-së, Paskal Milo, u kërkoi ndjesë pjesëmarrësve në mitingun-protestë që u detyruan të vinin në shesh, por shtoi ai, “nuk kishim asnjë rrugë tjetër që t’i themi ndal atij procesi regresiv që ka filluar që nga momenti kur u bënë ndryshimet e Kushtetutës së Shqipërisë”. “Në këtë shesh mungojnë shumë kolegë tanët, të së majtës, me të cilët kemi pasur një kalvar të tërë vuajtjesh, sakrificash, në këtë shesh ku jemi rrahur nga falangat e Sali Berishës në 96’, u shpreh Milo.
Meta
Kreu i LSI-së e nisi fjalën e tij me thirrjen ‘Liri, demokraci’, duke risjellë në vëmendje lëvizjet e viteve ’90. “Nuk mund të pranojmë që Kuvendi, presidenti si përfaqësues i popullit të kontrollohen rreptësisht nga kryeministri sikurse bën me partinë e tij dhe mos harroni kryeministër është Sali Berisha”, u shpreh Meta. Meta u tha pjesëmarrësve në mitingun-protestë se, ata do të fitojnë edhe referendumin e tretë me Berishën. “Sot ne nisim betejën e tretë me Sali Berishën, ne nisim referendumin e tretë përballë tij, që është ndeshja e tretë midis tiranisë dhe demokracisë dhe do ta fitojmë atë si në ‘94, dhe në ‘98 kur i dhamë Shqipërisë Kushtetutën më demokratike dhe evropiane’, vijoi Meta. Sipas tij, “kjo, do të jetë beteja finale për ta nxjerrë Sali Berishën në pension të përjetshëm politik”. Meta i bëri thirrje edhe deputetëve të PS-së të bashkohen me ta. “U them kolegëve deputetë të PS-së se, vendi i tyre nuk është atje, në natën e errët të 21 prillit me Sali Berishën, po është këtu me Petro Koçin e Luan Memushin e shumë socialistëve të tjerë në shesh. Ai veprim vetëm mund të ndreqet nga sovrani dhe e vetmja rrugë që ata kanë, është të shkëputen nga Sali Berisha dhe të bashkohen me sovranin. Sepse, ata nuk mund të justifikojnë faktin që nuk ia dhanë së bashku me të gjithë ne, të gjitha pushtetet Sali Berishës në ‘94, ‘96, ‘97, ‘98 dhe ia dhanë në 2008 pas tragjedisë së Gërdecit”, u shpreh Meta. (Panorama)
Shtuar më 11/05/2008, ora 22:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori