Ndryshon rezultati në Maqedoni, këtë raund e vështirë të zgjidhet presidenti (FOTO
Opozita maqedonase hap front kunder qeverise
Albeu.com
Dymbëdhjetë parti opozitare, të kryesuara nga Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë (LSDM) sot promovuan Platformën për veprimin e tyre politik në drejtim të ndryshimit të pushtetit në vend.
“Ky front politik nuk mund të rri duarkryq ndaj ngecjes së përgjithshme të shtetit. Paralajmërojmë betejë për kthimin e demokracisë dhe dinjitetit të njeriut”, porositi nga foltorja lideri i Alternativës së Re, Gjorgji Orovçanec.
Sipas tij, fronti është edhe kundër partiizimit të shoqërisë, administratës dhe gjyqësisë, por edhe kundër “populizmit vrasës të pushtetit”.

Orovçanec tha se fronti drejtohet edhe kundër ideologjisë që dëshiron ta problematizojë identitetin e maqedonasve. “Ne e dimë kush kemi qenë dhe shumë mirë e dimë se kush jemi sot”, tha Orovçanec. Ai shtoi se me Platformën parashihet puna në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, por edhe në kthimin imazhit të shtetit në kornizat ndërkombëtare. Orovçanec akuzoi pushtetin për situatën e rëndë ekonomike në vend për mospërmbushjen e programit dhe për masat populiste që ndërmerren. Lideri i Alternativës së Re u bëri thirrje të gjitha partive, organizatave dhe individëve që e pranojnë Platformën, t’u bashkangjiten.

Sipas kryetarit të LSDM-së Branko Cërvenkovski, promovimi i bllokut opozitar ndodh në momentin kyç për Maqedoninë. “Qëllimi ynë është ta mposhtim këtë koalicion të VMRO-DPMNE-së”, tha Cërvenkovski. Ai shtoi se kryeministri Nikolla Gruevski me punën çrregulluese arriti t’i bashkojë partitë në bllokun opozitar, ndonëse në të kaluarën disa prej tyre kanë qenë rivale.“Kjo është një periudhë kur i lëmë të gjitha mëritë pas veti dhe bashkohemi për shkak të interesit të shtetit”, theksoi Cërvenkovski.

Tito Petkovski nga Partia e Re Socialdemokrate (PRSD) tha se arsyeja për hyrjen e tyre në këtë koalicion është mundësia që opozita të fillojë të veprojë në mënyrë të organizuar. Ai shtoi se madje edhe nëse nuk ia dalin ta përmbysin pushtetin, megjithatë me trysninë e opozitës do ta detyrojnë të punojë në mënyrë ekonomike.

Me Platformën e opozitës parashihet edhe veprim individual dhe i përbashkët gjatë promovimit të interesave strategjike të shtetit, të përgatisin propozime dhe politika, shkëmbim i ndërsjellë i ideve, të kontaktojnë me qytetarët, por edhe t`i kritikojnë ashpër politikat e këqija qeveritare.

Platformën e pranuan LSDM-ja, PRSD-ja, Partia Liberale, Partia e Demokratëve të Lirë, Alternativa e Re, Lëvizja e Unitetit Kombëtar të Turqve, Lidhja Demokratike e Vllehëve, Lidhja e Forcave të Majta të Titos, Partia Qytetare Liberale, Partia e Pensionistëve, Partia Progresive dhe Partia e Gjelbër e Maqedonisë. (makfax)
Shtuar më 01/02/2010, ora 20:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori