Opozita maqedonase braktis seancen per Rregulloren
Albeu.com
Mazhoranca dhe opozita nuk mundën ende të tejkalonin mosmarrëveshjet rreth miratimit të ndryshimeve në rregulloren e punës së Kuvendit te Maqedonise. Deputetët e LSDM-së, PRSD-së dhe DR-së bojkotuan seancën e Kuvendit në të cilën duhej të miratoheshin ndryshimet në rregullore.Sipas opozitës, mazhoranca kishte futur pa koncensus në rend të ditës, ndryshimet e rregullores. Ata gjithashtu kërkojnë edhe formimin komisionit të posaçëm për kontrollimin e shpenzimeve të buxhetit. Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski mbledhjen e ka shtyrë në afat të pacaktuar.
“Vlerësimi për përparimin tonë euroatlantik është e përbashkët, ka të bëjë edhe me kapacitetet e pozitës por edhe me sjelljen dhe konstruktivitetin e opozitës në këtë drejtim edhe përgjegjësia për përparimin e realizuar është e përbashkët. Nëse duam të integrohemi në familjen evropiane, nëse duam vendime shtetërore, duam këtu në parlament të integrohemi për punët thelbësore", tha Trajko Velanoski, kryetar i Kuvendit.
“Në stilin e Millosheviqit pranuan se u pengon kjo opozitë dhe kërkojnë opozitë tjetër, sigurisht të importuar nga ndokund. E tërë kjo me qëllimin e vetëm të tentojnë të gjejnë alibi për atë që përsëri edhe përkundër të gjitha rekomandimeve të bashkësisë ndërkombëtare, edhe përkundër dorës së zgjatur të opozitës për ndërtimin e konsensusit dhe dialogut të vërtetë politik, Gruevski, Veljanovski dhe VMRO-DPMNE luajnë me perspektivat evropiane të Maqedonisë dhe parashtruan rregullore pa konsensus.”, akuzoi Jani Makraduli, deputet i LSDM-së.
Paraprakisht deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzuan kolegët e tyre të LSDM-së se mos prezenca e tyre në seancë, është dëshmi se LSDM-ja dëshiron raport negativ nga Komisioni Evropian për përparimin e vendit.
“Unë jam e habitur që sot në Kuvend nuk ndodhen kolegët për kërkesat e të cilëve flasim. Unë edhe më tepër jam e habitur pasi e dinë se sot është dita e fundit kur Republika e Maqedonisë duhej të dërgonte marrëveshje pozitive deri në Këshillin e stabilizim asociimit, se kemi arritur të tejkalojmë vetveten, se punojmë në interes të qytetarëve të Maqedonisë ”, tha Silvana Boneva, deputete e VMRO-DPMNE-së.
"E nderuara kolege Boneva, si nuk mund të kuptoni porosinë që na dërgojnë miqtë tanë nga Brukseli, të cilët sigurisht më shumë se ju, se shumica parlamentare duan të shohin vendin në BE. E nderuara kolege Boneva, thoni se sot është dita e fundit, çka pritet ditën e fundit?”, pyeti Roza Topuzova Karevska, deputete e PLD-së.
Nënkryetari i BDI-së Rafis Haliti tha se BDI kishte prioritet që të arrihet ky kompromis për ndryshime në rregullore me qëllim që vendi të marrë raport pozitiv nga Komisioni Evropian.
“Mos arritja e atij kompromisi, gjë që nuk do të doja në këtë moment ta mendoj, mendoj se të gjithë e kemi të qartë se do t’i dëmtonte politikat tona si vend të euro-integrimeve dhe pasojat gjithsesi se do të bien sëpari mbi ne deputetët pa marrë parasysh pozitë apo opozitë dhe pastaj kuptohet se pasojat do ti ndieshin në lëkurën e tyre edhe qytetarët e Maqedonisë”, paralajmëroi Rafis Haliti, deputet i BDI-së.
Miratimi me konsensus i ndryshimeve në rregulloren e punës së Kuvendit, ishte si porosi për funksionimin e dialogut politik në vend, që duhej të dërgohej para mbajtjes së këshillit të Stabilizim-Asocimit me BE-në e caktuar për javën e ardhshme. (alsat-m)
Shtuar më 24/07/2010, ora 18:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori