Opozita fut ne parlament debatin per projektin "Shkupi 2014"
Albeu.com
Opozita ka ndërmarrë edhe hapat e parë për të penguar realizimin e projektit ‘Shkupi 2014’. Grupi parlamentar i LSDM-së sot ka shtruar në parlament kërkesën për një seancë urgjente në të cilën do të debatohet rreth këtij projekti.
Cvetanka Ivanova nga partia e Cërvenkovskit, projektin e Shkupi 2014, e cilësoi si çmenduri të Qeverisë, e cila patjetër duhet të pengohet.
“Vlerësojmë se kjo çmenduri duhet të ndërpritet, vlerësojmë se dikush duhet ta ndalojë Qeverinë në harxhimin 200 milion euro të qytetarëve për frustracione dhe harxhime kriminale. Për këtë arsye grupi parlamentar i LSDM-së, deputetët e PRSD_së, të partisë liberale dhe të Alternativës së re, sot deri te kryetari parlamentit të RM-së shtruan kërkesën për thirrjen e një seance urgjente në të cilën do të debatohet për korrupsionin përmes harxhimit të 200 milion eurove për përmendore në RM”, deklaroi Cvetanka Ivanova, kryetare e grupit parlamentar të LSDM-së.

Edhe partia e Selmait ka ngritur iniciativë për hapjen e kësaj çështje në parlament. DR-ja kërkon që së pari për projektin Shkupi 2014 të debatoj Komiteti për marrëdhënie ndëretnike.
“Ne ngritëm iniciativën deri tek Komiteti për marrëdhënie ndëretnike sepse kompetencat e këtij komiteti kanë të bëjnë me integritetin etnik dhe me çështjet etnike. Konsiderojmë se pikërisht vendimet duhet të merren tek Komiteti me vendimin e Badinterit si dhe pastaj të sillen konkluzone përkatëse dhe Komiteti ti propozoj Kuvendit të RM-së që në seancë plenare të debatohet dhe të shqyrtohet projekti “Shkupi 2014”, theksoi Flora Kadriu, kryetare e grupit parlamentar të DR-së.

Nga ana tjetër, kryetari Komitetit mirëpret iniciativën e DR-së, dhe paralajmëron se rreth së njëjtës do të debatohet javën që vjen.
“Unë për të premten kamë ftuar seancën e radhës të komitetit ku pikë të vetme të rendit të ditës kemi shqyrtimin e zhvillimeve në sferën e arsimit dhe ndikimi i tyre në relacionet ndëretnike. Kështu që iniciativa e grupit parlamentar të DR-së është legjitime, aq më tepër kur përputhet edhe me vetë projeksionet e vetë komitetit. Për javën e ardhshme pa diskutim që do të shqyrtojmë edhe të shumë përfolurin projekt Shkupi 2014 dhe gjykoj që është edhe në filozofinë e funksionimit dhe të ekzistencës të Komitetit që të debatoj dhe të thotë fjalën e vetë edhe për këto zhvillime”, tha Xhevat Ademi, kryetar i Komitetit për marrëdhënie ndëretnike.

Mbështetje pa rezervë kësaj iniciative të partive opozitare u ka dhënë edhe Partia Liberal Demokratike. Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe sot thirrjet e opozitës drejtuar Gruevskit që projekti Shkupi 2014 të vihet në referendum dhe për të njëjtin të shprehen vetë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. (Bedri Rexhallari, alsat-m)
Shtuar më 09/02/2010, ora 22:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori