Operacionet paqeruajtëse, 157 trupa të “Eagle 6” nisen drejtë Afganistanit
Në mjediset e garnizonit ushtarak të Zall-Herrit u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes së Kontigjentit të 12-të Paqeruajtës me mision në Herat dhe të Kontigjentit “Eagle 6” me mision në Kandahar, Afganistan.


Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, duke përshëndetur trupat paqeruajtëse dhe të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni, theksoi se, në këto 16 vite të angazhimit të Forcave tona të Armatosura në misionet paqeruajtëse janë bërë tashmë një ritual i zakonshëm, por çdo ceremoni mbart në vetvete një konstante të vazhdueshme, atë të vlerës së shtuar, të rritjes së përvojës dhe profesionalizmit të trupave tona në teatrin e operacioneve.

“FA të Republikës së Shqipërisë kanë dhënë një kontribut të madh në operacionet paqeruajtëse në disa vende të globit, por vitet e fundit, me konsolidimin e mëtejshëm të FA-së edhe ky kontribut ka pësuar një spirale ngritëse shumë cilësore. Fakt për këtë është dërgimi i trupave të forcave speciale për operacione luftimi në zonën më të rrezikshme të Afganistanit, në Kandahar, si dhe dërgimi i ekipeve trajnuese e këshilluese, të cilat i kanë rritur së tepërmi kreditet tona në kuadër të Aleancës”, ka nënvizuar ministri Imami.


Misioni “Eagle” i Batalionit të Forcave Speciale, ka vijuar Imami, është shndërruar tashmë në simbolin e profesionalizmit dhe të përkushtimit të ushtarakëve tanë.
Ministri i Mbrojtjes Imami ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që kanë patur trupat paqeruajtëse shqiptare në këto misione nga aleatët tanë strategjik, SHBA-së dhe Republikës së Italisë. “Falenderoj FA të SHBA-së dhe të Republikës së Italisë, si dhe komandat operacionale në Kandahar dhe në Herat për asistencën që kanë dhënë si në fazën trajnuese ashtu edhe gjatë operimit të përbashkët në teatrin e operacioneve. Shpreh bindjen se bashkëpunimi ynë me këto vende do të vijojë edhe në të ardhmen”, - është shprehur zoti Imami.


Ministri ka falënderuar gjithashtu edhe familjarët e misionarëve të paqes për mbështetjen që u kanë dhënë atyre për kryerjen me nder të misionit fisnik dhe i ka siguruar ata se Ministra e Mbrojtjes dhe strukturat e Forcave të Armatosura do të jenë përherë pranë tyre.


Kontingjenti i 12-të do të drejtohet nga major Albert Doçi dhe ka për mision ruajtjen dhe sigurinë e aeroportit civil dhe ushtarak në Herat, patrullim, ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurimin e personelit, infrastrukturës dhe pajisjeve të bazës ushtarake në Herat, Afganistan etj.


Ndërsa Kontingjenti “Eagle 6” do të drejtohet nga nënkolonel Agim Kuçana dhe ka për mision kryerjen e detyrave luftarake, duke vepruar në zonën e operacionit ushtarak ISAF-NATO në Kandahar, Afganistan. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2013, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori