Oketa: PD, peng e interesave personale
Pëlqej
Sekretari i përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, thotë se deri tani nuk ka pasur asnjë ftesë nga PS-së për bashkëqeverisje dhe as nga PD-a për bashkëpunim.

Në një intervistë për “GSH”, Oketa shprehet se pas shtatorit FRD do të riorganizohet sipas ndarjes së re territoriale dhe do të fillojë të përgatitet për zgjedhjet e rej lokale. Oketa ka bindjen se PD-ja është peng i interesave personale të disa individëve, ndërsa përshëndet disa nisma të qeverisë “Rama”, ashtu siç kritikon ngadalësimin e disa reformave.

“Aksioni kundër mbjelljes së bimëve narkotike, mbyllja e piramidave të arsimit të lartë, ndërhyrja tek lojërat e fatit, prishja e ndërtimeve abuzive janë disa iniciativa të qeverisë, të cilat duhen përshëndetur dhe duhen mbështetur. Siç duhet kritikuar ngadalësia apo mosveprimi në sektorë të tjerë. Reforma në drejtësi, pavarësisht se është një reformë jo e lehtë, duhet të përshpejtohet duke i krijuar hapësirat e duhura dhe opozitës parlamentare për të kontribuar nëse ajo është në favor të kësaj reforme. Mbajtja akoma pezull në mënyrë të pajustifikuar e situatës në një nga sektorët më të rëndësishëm e kontribuues në buxhetin e shtetit, sektorin e ndërtimit, ka një efekt negativ si në buxhet, ashtu dhe në uljen e papunësisë. Një gjë është e sigurt, që premtimet elektorale në fund të mandatit nuk do të mbahen të gjitha, pasi nga të gjitha krahët kishte premtime shpesh të ekzagjeruara e të paargumentuara. Megjithatë, asnjëri prej nesh, pavarësisht pozicionit që ka në raport me qeverinë, nuk duhet të lutet që qeveria e vendit të tij të dështojë, pasi për çdo gabim të qeverisë, faturën e paguajnë qytetarët”, shprehet ai.

Gazmend Oketa ka një përgjigje dhe për skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, për të cilin e quan të pa vlerë dorëheqjen e Fullanit.

“Sot nuk ka më kuptim të flitet për një dorëheqje të z.Fullani.Ka kaluar kohë nga dita që u bë publik lajmi i vjedhjes së Thesarit dhe dorëheqja nëse ndodh,sot nuk besoj se do të marrë ndonjë vlerësim nga opinioni publik. Në situatën e krijuar, përgjegjësia më e madhe ligjore dhe morale bie edhe mbi bordin drejtues të bankës, i cili nuk ka mbajtur asnjë qëndrim lidhur me këtë ngjarje të rëndë”, pohon Oketa.

Oketa shprehet se është ndjerë i tronditur nga skandali seksual i Sarandës, ku u përfshi zyrtari socialist teksa shprehet se krahasimi me rastin “Pango” çalon. Sipas tij, rasti i tanishëm përbën një vepër penale, pasi bëhet fjalë tentativë abuzimi me një minorene, ndërsa rasti i z. Pango ishte dhe mbetet një sjellje e papranueshme për çdo zyrtar e aq më shumë për një ministër.
Shtuar më 25/08/2014, ora 09:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori