OKB pranon propozimin e Ban Ki-Moon
Pëlqej
Albeu.com
Këshilli i Sigurimit i OKB-së i ka dhënë mbështetje raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, duke i hapur rrugë vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë.Në deklaratën presidenciale të lëshuar nga mbledhja e të mërkurës, EULEX-i thuhet se do të funksionojë nën ombrellën e OKB-së.

Ambasadorëve të vendeve anëtare të KS-së iu është drejtuar edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, i cili ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Misioni i Bashkimit Europian të nisë vendosjen në Kosovës dhe të marrë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit.

“Jemi të përkushtuar që të ketë vendosje të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e vendit, Aksionin e Përbashkët të 4 shkurtit si dhe dy ftesat e Presidentit Fatmir Sejdiu”, tha Hyseni. “EULEX-i do të gëzojë përkrahjen e plotë të qytetarëve të Kosovës. Është jashtëzakonisht e domosdoshme që EULEX-i të shtrihet në tërë territorin e Kosovës”.

Kryediplomati kosovar, i cili shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, ka folur për progres të vazhdueshëm në Kosovë. “Në këto 9 muaj që prej shpalljes së pavarësisë kemi vënë themelet për një shtet multietnik. E kemi nxjerrë një kushtetutë moderne, të bazuar në Planin e fituesit të çmimit për paqe, Martti Ahtisaari, që ofron standarde të larta për mbrojtjen e minoriteteve”.

Më tutje, ministri i Jashtëm kosovar ka rikujtuar se deri më tani 52 shtete e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës. Ai ka veçuar sidomos njohjet e fundit nga fqinjët, Mali i Zi dhe Maqedonia, që “dëshmojnë se pavarësia ka shtuar ndjenjën e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

Derisa më herët gjatë ditës, në Prishtinë presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, nëpërmes një deklaratë të përbashkët, kishin kundërshtuar me një gjuhë të ashpër planin gjashtëpikësh të OKB-së, ministrit Hyseni nuk i ka përmendur gjashtë pikat fare.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, në paraqitjen e tij e ka quajtur Kosovën provincë jugore e Serbisë dhe ka përsëritur se Beogradi kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e saj.

Jeremici tha se “nuk dëshiron ta fshehë” se Serbia po përparon në kthimin e sovranitetit në Kosovë dhe ka përshëndetur shtetet që po e mbrojnë interesin e Serbisë, posaçërisht Federatën Ruse.

Pasi ka folur për “vuajtjet e serbëve që jetojnë nëpër kampe” në Kosovë dhe për shkatërrime kishash, Jeremiqi i ka dhënë përkrahje planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, dhe ka bërë thirrje për aprovimin e tij nga Këshilli i Sigurimit.

Fillimisht ambasadorëve të vendeve anëtare të KS-së iu është drejtuar me një deklaratë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i cili është njeriu i cili e ka negociuar marrëveshjen e OKB-së me Beogradin.

Ai ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por situata politike është e tensionuar. “Kosova po kalon një periudhë të re të adaptimit pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës”. Por Zannier ka thënë se kjo fazë po paraqitet më komplekse seç është pritur, ndërsa procesi i ngadalshëm i njohjeve të pavarësisë, po e pengon Kosovën që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkohë, UNMIK-u po hyn në një fazë të re të rikonfigurimit, meqë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës nuk po mund t’i kryejë funksionet e tij, ka thënë Zannieri. Sipas tij, roli i UNMIK-ut po bëhet gjithnjë më shumë politik, si për shembull, të jetë një interlekutor në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, meqë ato s’ka qenë e mundur të bëhen drejtpërdrejt.

Sipas shefit të UNMIK-ut, nga këto bisedime me Beogradin ka pasur disa përparime, siç është hapja e gjykatës në veri të Mitrovicës, ndërsa ka theksuar se nevojitet vullneti i të dy palëve për të pasur sukses në disa fusha të tjera.

Më tutje, italiani Zannieri ka theksuar se megjithëse Rezoluta 1244 mbetet në funksion, institucionet e Kosovës kanë bërë që UNMIK-u të mos funksionojë si administratë, prandaj UNMIK-u po përqendrohet në zonat e banuara me shumicë joshqiptare. Qëllimi i UNMIK-ut është të zvogëlojë stafin deri në 70 për qind, por sipas tij, për këtë paraprakisht është e nevojshme shtrirja e misionit të BE-së nën ombrellën e KS-së.

Sipas Zannierit, OSBE-ja do të mbetet element qendror i UNMIK-ut të rikonfiguruar. Përmes zyrave të saj në terren, OSBE do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ndërtimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes për komunitet pakicë.

Ambasadorja amerikane, Rosemary DiCarlo, ka përsëritur qëndrimin e Washingtonit se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm. Ajo ka theksuar se Prishtina e ka bërë të qartë se e kundërshton 6 pikat, por se mirëpret vendosjen e EULEX-it. Ndërkohë ajo bëri të qartë se pret që edhe Serbia të ndihmojë vendosjen e EULEX-it.

Ndërsa ambasadori i Rusisë e ka quajtur provincë Kosovën dhe ka kërkuar zbatimin e rezolutës 1244. Ai ka thënë se ka informacione se autoritet e Prishtinës do ta sabotojnë përmbushjen e 6 pikave të Planit të Ban Ki-Moonit.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ka vazhduar me paraqitjen e qëndrimeve nga ambasadorët e shteteve të tjera, para se të lëshohet një deklaratë presidenciale, me të cilën i jepet “drita e gjelbër” vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. (Express)
Shtuar më 27/11/2008, ora 05:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori