OJQ: Korrupsioni dhe krimi i organizuar kercenojne sot Kosoven
Albeu.com
Zotimet e EULEX-it për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet më të larta të shoqërisë dhe politikës kosovare janë mirëpritur, por vonesat në zbatimin e tyre vënë në dyshim përmbushjen e zotimeve, thuhet në një deklaratë shoqërisë civile e cila shpreh shqetësimet e saj.
"Ne konsiderojmë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet kryesore për Kosovën sot. Këto po dëmtojnë institucionet e vendit dhe shoqërinë tonë në përgjithësi duke penguar rimëkëmbjen ekonomike dhe duke cenuar demokracinë e brishtë të Kosovës. Së bashku sistematikisht dhe sigurt po dëmtojnë të ardhmen tonë evropiane", theksohet në këtë deklaratë të përbashkët të OJQ. "Dëshmitë rrëqethëse të dala në opinion në rastin Bllaca, shëtitja e lirë e personave të implikuar në krimin e organizuar nëpër Kosovë, gjendja e jashtëligjshme në veri të Kosovës si dhe raportet e shumta të organizatave e institucioneve vendore e ndërkombëtare e bëjnë edhe më urgjente nevojën për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. EULEX i është thirrur t'i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në këtë drejtim". Ndërkaq në lidhje me hapjen e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, siç thuhet, në kohën kur nga EULEX i pritej të zbatonte zotimet për arrestime të individëve të inkriminuar, ka shtuar hutinë ndër qytetarët e Kosovës por edhe frikën se EULEX i nuk do të përqendrohet në atë që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë prioritet. Shoqëria civile si dhe qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë të paragjykojnë për punën e EULEX it apo të ndërhyjnë në zbatimin e drejtësisë, megjithatë bindja e tyre është se "në kandarin e prioriteteve të Kosovës, më me peshë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar se sa trajtimi i rastit të z. Kurti", thuhet në këtë deklaratë të OJQ-ve. Sipas tyre, çelës i suksesit të misionit të EULEX it në Kosovë është mbështetja që qytetarët e Kosovës do t'i japin këtij misioni. "I bëjmë thirrje EULEX it që të përqendrohet në përmbushjen e misionit të vet dhe të ndihmojë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që të shohim Kosovën duke bërë progres në integrimet evropiane dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit", theksohet në fund të deklaratës.
Shtuar më 09/02/2010, ora 22:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori