E FUNDIT/ Të shtëna me armë në Tiranë
Oficeri i drogës, ja bisedat e koduara për trafik narkotikësh
Shefi i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Fierit është arrestuar me urdhër të prokurorisë, pasi rezultoi se ishte i lidhur me një grup kriminal që trafikonte tonelata drogë nga Lazarati në drejtim të Italisë. Kanë qenë oficerët e SHKB-së që i komunikuan Dritan Zaganit akuzën e "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Moskallëzimit të krimit", pasi me veprimet e tij u jepte informacion trafikantëve rreth lëvizjeve të agjentëve të policisë në terren.

Hetimet që janë udhëhequr nga prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini dhe zv/drejtori i SHKB-së Zamir Shtylla kanë zbuluar se Dritan Zagani, ka biseduar me një shtetas Italian, duke i dhënë informacione rreth lëvizjeve të policisë dhe organizatorëve të këtij grupi kriminal, të cilët afronin sasitë e ndryshme të drogës,afër bregut të detit, mes Hidrovorit dhe lagunës së Nartës në Vlorë.

Pikërisht në këtë pozicion vinte nga Italia një gomone, e cila merrte mallin. Nisur nga kjo situatë, në kohë dhe vende të ndryshme prokuroria ka arrestuar në total 13 persona, ku vetëm në operacionin e djeshëm "Merry Christmas", janë arrestuar shtetasit Dritan Zagani, Edison Latifaj, Vasil Latifaj, Emiljano Brahimi, Niko Brahimi, Agur Malaj dhe Saimir Shosha. Këta persona, kishin zgjedhur për trafikimin e një sasie prej 1 ton drogë mesnatën krishtlindjeve të dhjetorit 2013.

Disa prej të arrestuarve si Edison Latifaj dhe Niko Brahimi rezultojnë administratorë lokalesh në Vlorë.

Kodet e përdorura

Nga interpretimi i bisedave telefonike ka rezultuar se personat që janë implikuar në trafikun e drogës, përdornin biseda të koduara. Për vetë kohën e krishtlindjeve, autorët në përgjime kanë përdorur biseda si "…Gëzuar krishtlindjet…Çfarë dhurate keni bërë për miqtë…", "…Ju kanë ardhur njerëzit nga emigracioni…", duke nënkuptuar mbërritjen ose jo të gomones nga Italia. Gjatë kryerjes së këtij operacioni, janë sekuestruar 1132 kg drogë, 8 automjete, dy armë kallashnikov, 20 telefona etj, raporton "A1 Report".

Oficeri dekonspiroi

Gjatë hetimeve të zhvilluara për këtë grup, rezulton se njëri prej tyre komunikonte shpesh me shefin e Sektorit të Luftës Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit, Dritan Zagani, duke e vënë në dijeni për lëvizjet e grupit. Ky i fundit, në bazë të informacioneve të marra në këtë rrugë joligjore pasi nuk kishte vënë në dijeni strukturat eprore të tij, organizon në janar 2014 një operacion "rutinë", në të cilën bllokohen në një automjet në aksin rrugor Fier-Vlorë rreth 100 kilogramë cannabis sattiva.

Ky veprim, i cili ishte i pakoordinuar me strukturat drejtuese të SHKB-së dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, ndikoi negativisht në një operacion tjetër që po zhvillohej lidhur me këtë ngarkesë, për të cilën pritej destinacioni final i kësaj lënde narkotike, për të ndërhyrë.

Nga hetimet rezultonte se personat që po transportonin këtë ngarkesë lënde narkotike kanë komunikuar me “burimin” e zyrtarit të Policisë Zagani, pasi e konsideronin si bashkëpunëtor të tyre. Në vijim, shtetasi Dritan Zagani i raporton për operacionin një shtetasi italian duke shkelur etikën, detyrën dhe sekretin hetimor, dhe me papërgjegjshmëri flet për detaje të cilat nuk i ka bërë prezente as tek eprorët e tij dhe nuk gjejnë pasqyrim në asnjë dokument të firmosur prej tij dhe të administruar në përmbushje të detyrës. /albeu.com/
Shtuar më 04/05/2014, ora 11:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori