Oficeri i dekoruar nga Rama e Tahiri: Kush është grupi më i fuqishëm se Habilajt
Bledar Naçi është ish-oficeri i Antidrogës i cili ka dhënë deklarata të forta në lidhje me trafikun e drogës dhe bandën e Habilajve.

Njësoj si Dritan Zagani dhe Antonio Nazeraj, jeta e Bledar Naçit mori tatëpjetën kur u përplas me grupin e Habilajve që udhëtonin me makinën e ish-ministrit të Brendshëm, në fund të vitit 2013.

Ish-efektivi i Antidrogës së Fierit rrëfeu detajet e shoqërimit të vëllezërve Habilaj dhe lirimin e tyre me urdhrin e drejtorit të policies, GSH.

Naçi tregon dy incidente: i pari, kur sekuestruan 3.5 kg heroinë dhe “i zoti i mallit” i kërcënoi duke thënë se “Përgjimet që ju i dëgjoni në zyrë, mua mi sjellin nga Tirana dhe i kam në shtëpi”.

Dhe incidenti tjetër, kur ai dhe Zagani ndaluan një skaf të dyshuar për trafik dhe policia e Vlorës u përplas me ta me armë, pasi nuk lejonte sekuestrimin e skafit.

Pjesë nga Intervista

Pastaj erdhi arrestimi, burgosja dhe dënimi?

Jam arrestuar me datë 2 maj 2014, dhe jam liruar nga burgu me datë 14 janar të vitit 2015

Jeni pyetur ndonjëherë gjatë qëndrimit në burg?

Jo, gjatë qëndrimit në burg nuk jam pyetur asnjëherë. Pas disa muajsh më ka ardhur në qeli shefi i SHKB Fierit, duke më paraqitur një shkresë ku më kërkohej të firmosja mbylljen e hetimeve, se nuk ishin gjetur prova për të vazhduar hetimet më tej.

Ishte ky person që më ka ardhur dhe në mjediset e burgut të Vlorës. Nuk jam pyetur asnjëherë nga prokuroria

Jeni dënuar pastaj?

Jam dënuar dy vjet me shërbim prove. Pas daljes nga burgu jam larguar nga Shqipëria pas disa muajsh.

Përse, ishit i pasigurt, kishit kërcënime?

Kërcënimet ndaj meje jashtë burgut kanë rrjedhojë dhe ato që janë bërë gjatë qëndrimit në burg. Kjo ka ndodhur dhe në burg
Si?

Mund ta verifikoni. Në burgun e Vlorës kam ndenjur në qeli me persona që ishin të dënuar me 25 vjet për vrasje,

Në qeli të dënuar ka..?

Po e di këtë, kam qenë në dhomë me persona që kanë qenë të dënuar për vrasje, për grabitje me armë dhe për pengmarrje, jam kërcënuar dhe nga të dënuar të tjerë.

Keni denoncuar?

Jam goditur brenda në burg.

Si goditur?

Po më kanë qëlluar të burgosur, duke më thënë se ti u ke bërë shumë keq miqve dhe shokëve tanë, gjatë kohës që ke punuar në polici, sidomos kohët e fundit.

Jam masakruar, sepse një moment kam qenë vetëm dhe jam qëlluar, më kanë thyer dhëmbët e nofullës së sipërme, në burgun e Vlorës.

Ju nuk e keni denoncuar?

Ku ta denoncoj. Jam këshilluar dhe jam mbyllur në qeli, sepse këto gjëra mund të nisnin si sherre banale dhe mund të ishte fort mirë një tentativë ekzekutimi ndaj meje dhe kam shpëtuar për fat të ndërhyrjes së disa punonjësve të burgut që u ndodhën dhe hynë me shpejtësi. Kanosja ka vijuar edhe pas daljes nga burgu, kanë ardhur mesazhe direkt dhe indirekt, në lagjen time dhe në banesën time

Ju i keni denoncuar?

Ju pyesni a i kam denoncuar? Te cila polici? Te ajo e Fierit, që mua më futi brenda në atë mënyrë, te ata drejtues policie që kishin ato lidhje dhe njohje, ajo polici do më jepte garanci për jetën time..!!!

Ju keni punuar gjatë në polici, sipas informacioneve tuaja, cili është aktiviteti i grupeve kriminale në qarkun e Fierit, Vlorës, po të këtyre zonave?

Aktiviteti i tyre, është shumë i organizuar, jo vetëm në kultivimin e hashashit dhe janë të shtrirë dhe në trafikun e heroinë dhe të kokainës. Janë aq të organizuar sa nuk mund t’u ofrohesh dot. Janë shumë të organizuar sa policia këtyre grupeve, nuk mund t’u ofrohet dot.

Po nëse nuk i ofrohet policia kush mund ta bëjë?

Po ta them edhe një herë, policia këtyre grupeve nuk mund t’u ofrohet dot. Policia u ofrohet atyre, po të ketë drejtues policie që nuk janë të lidhur me to.

Kjo është akuzë, e keni të mbështetur në informacione?
Kjo është e vërtetë nuk është akuzë. Dhe unë mund t’jua shpjegoj konkretisht.

Po.

Gjatë muajit dhjetor 2013, seksioni Antidrogës, ku kam qenë edhe unë pjesë, ka bërë një kapje sasie heroinë, 3.5 kilogramë, e pastër dhe ky person është arrestuar e ka shkuar në burg dhe droga është sekuestruar.

Gjatë hetimeve që kemi pasur na kanë dalë në lidhje me të, me numra telefonash persona që kanë biznese shumë të fuqishme në Fier.

Të kesh një numër, nuk e fajëson një person?

Këtë dua të shpjegoj. Nga hetimi këtij personi kanë dalë numra telefonash të këtyre bizneseve të personave që ne kishim në hetim, personave që kanë biznese në Fier, po flas për biznese të mëdha dhe jo për lokale e dyqane lagjesh. Dhe unë jam kërcënuar edhe nga ky person për të cilin po flasim, unë edhe ish-kolegu im Antonio Nazeraj.

Perse?

Sepse ky person ishte në ndjekje dhe në hetim nga ana jonë. Kjo çështje nuk bënte fjalë vetëm për 3.5 kilogramë, ishte akoma edhe më e madhe.

Gjatë hetimit kemi marrë shumë informacione për adresa, për numra telefonash, informacione që përcillen tek të gjithë eprorët deri të drejtori, me numra telefonash, me automjetet që kanë dhe lëvizin me to, adresat e banesave dhe numrat e telefonave që këta i ndërronin herë pas here qëllonte gjithnjë që ne na dilnin të fikur. Këto info janë të përcjella në rrugë zyrtare tek eprorët tanë.

Por pastaj si vepruat me këtë hetim?

Gjatë kohës, që ky person dhe shumë persona të tjerë ishin nën hetim, vjen ky person dhe unë isha me kolegun tim Antoni Nazeraj dhe kërkon, na vjen aty ku ishim, kërkon të flasë me ne. Urdhëro i themi, çfarë ke për të thënë?

Dhe çfarë ju tha..?

Atë emrin tim tha mos e përmendni më, sepse ju e keni të kotë, mos shkruani më për mua, sepse ato disqet e përgjimeve të bisedave që dëgjoni ju në zyrë, unë i dëgjoj në shtëpi dhe unë i marr të gatshme nga Tirana.

Kështu na tha mos u merrni me mua, merruni me të tjerë, e kjo për ne ishte një kanosje e hapur për shkak të detyrës, se mund t’ia kalojmë mirë bashkë, por edhe mund të mos ia kalojmë mirë. Ky person bashkëpunonte dhe me grupe të tjera.

Sa grupe të tjera kishte..?

Mund t’ju them se ky grup i fuqishëm kriminal kishte lidhje dhe me grupe në Vlorë dhe ka pasur lidhje të fuqishme edhe në politike, njëkohësisht kishte lidhje të forta edhe me Habilajt, këto informacione ne i kishim zyrtare, ishte grup paralele me Habilajt, por shumë më i fortë se ai.

I keni zyrtare këto informacione?

Sigurisht që i kemi bërë zyrtarisht dhe janë arkivuar, nëse këto i kanë hequr, atëherë kjo është punë tjetër.

Keni pasur bashkëpunim apo përplasje në luftën kundër trafikut?
Ne kemi pasur përplasje edhe me policinë e Vlorës në operacione kundër trafikut dhe për këtë mund t’ju tregoj një rast konkret.
Cili rast?

Kemi qenë në një shërbim në Lushnjë, së bashku me shefin e sektorit Dritan Zagani, se kemi qëndruar disa ditë dhe kemi pasur rezultate në kapjen e narkotikëve.

Një ditë, na eshtë dhënë urdhër nga eprorët që kishin një informacion për një skaf në zonën e Levanit dhe kemi shkuar unë dhe Zagani.

Gjatë rrugës Zagani komunikonte herë pas herë me shefin dhe informohej për detajet gjatë operacionit, informohej salla nga inspektori, dhe kështu zinxhir na vinte informacioni.

Çfarë mjeti ishte ai që po ndiqnit?

Ishte një Land Rover që po tërhiqte skafin për ta zhvendosur dhe po kalonte territorin e qarkut Fier, kishte mbërritur te ura e Mifolit.

Ka qenë një këmbëngulje e Zaganit dhe e shefit që komunikonte dhe na u tha ta ndiqnim deri në destinacion që ta ndalonim, ndonëse kishte hyrë në zonën e Vlorës, duhej të përfundonim operacionin dhe unë dhe Zagani kemi vijuar ndjekjen dhe e kemi ndaluar mjetin. /albeu.com/

Shtuar më 08/11/2017, ora 11:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori