Prigozhin vetëm një simptomë e kalbëzimit institucional të regjimit të korruptuar të Putinit

Nga Shlomo Ben-Ami ”Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Disa grushte shteti ushtarake, pretendojnë se përfaqësojnë pararojën e modernizimit dhe ndryshimit. Të tjera, si ai në Kili në vitin 1973, por edhe përpjekja e dështuar për grushti shteti në Spanjë në vitin 1981, ushqehen nga nostalgjia për diktaturat e kaluara.

Shumica e grushteve të shtetit, nxiten të paktën pjesërisht nga ankesat e fuqishme të grupeve të caktuara. Por grushti i shtetit i lënë në mes i “lordit të luftës”, Yevgeny Prigozhin, duket se është motivuar vetëm nga synimi i tij për pushtet dhe prestigj personal.

Dhe ndërsa Prigozhin dhe mercenarët e tij të grupit Wagner e ndërprenë shpejt marshimin e tyre drejt Moskës, ai nxori në pah kalbjen institucionale të regjimit pretorian të presidentit rus Vladimir Putin. Në këtë mënyrë Prigozhin tregoi se është më pak një kërcënim për sundimin e Putinit, dhe më shumë një simptomë e brishtësisë së tij themelore.

Në thelb, ai është një besnik i Putinit, që zhvilloi një “ambicie të tepruar dhe interesa personale” siç e tha vetë presidenti rus në deklaratën e tij drejtuar kombit. Me rritjen e popullaritetit të tij që kërcënonte të minonte monopolin e Putin në skenën e brendshme, Prigozhin u bë shumë i fuqishëm, ndaj nuk mund të lihej më të vepronte i pakontrolluar.

Plani i Putinit për ta vendosur Wagner nën komandën e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes, nënkuptonte një humbje serioze të ardhurash për Prigozhin, i cili e bashkë-themeloi milicinë private në vitin 2014.

Po ashtu thuhet se kompania e shërbimeve hoteliere të Prigozhin, fitonte 80 miliardë rubla (920 milionë dollarë) në vit duke furnizuar me ushqime ushtrinë ruse. Në një sulm jo shumë të maskuar ndaj interesave të biznesit të Prigozhin pas përfundimit të rebelimit, Putin tha se shpresonte që “askush të mos ketë vjedhur asgjë, ose të paktën të mos ketë vjedhur shumë”. Sundimi i Putin, është karakterizuar nga privatizimi i sovranitetit kombëtar. Ushtritë private si Wagner, të cilat merrnin 1 miliard dollarë në vit nga buxheti i shtetit, kanë qenë pjesë përbërëse e sistemit Putin, dhe lufta në Ukrainë e ka nxitur formimin e forcave të tjera mercenare.

Edhe konglomerati i gazit i kontrolluar nga kompania shtetërore Gazprom, ka formuar një batalion privat, duke rekrutuar rojet e veta të sigurisë për të luftuar në Ukrainë, dhe për të ndihmuar në sigurimin e sundimit të Putinit, në këmbim të përfitimeve të tjera.

Këto njësi paraushtarake i ofrojnë Putinit një mënyrë për të përmbushur kërkesat e ushtrisë për personel, pa paguar koston politike të një mobilizimi të ri zyrtar. Fushata e fundit e rekrutimeve, e nisur në fundin e vitit 2022, nxiti qindra mijëra burra rusë të largoheshin nga vendi i tyre.

Për këtë arsye, fushëbeteja e Ukrainës është shndërruar në një terren pjellor për kompanitë private ushtarake. Prigozhin ishte ndoshta po aq i shqetësuar nga kjo konkurrencë në rritje, sa edhe nga rivaliteti i tij i ashpër ndaj udhëheqjes ushtarake të Rusisë, veçanërisht me Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov.

Në një kohë që lufta e Rusisë udhëhiqet në dukje nga ushtria, kryekomandantët e luftës si Prigozhin dhe udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, janë bërë gjithnjë e më të spikatur falë qasjes së tyre të drejtpërdrejtë tek Putin. Pavarësisht mungesës së ndonjë kërcënimi real ndaj sundimit të tij, Putini ka pak arsye të gëzohet.

Rebelimi i Prigozhin, së bashku me faktin poshtërues se ai mbaroi me ndërmjetësimin e presidentit Bjellorus Aleksandr Lukashenko, shënon pikën më të ulët të sundimit të tij të gjatë. Për më shumë se 2 dekada, Putin ka privatizuar pjesë të ndryshme të qeverisë, duke krijuar një klasë të vogël përfituesish jashtëzakonisht të pasur dhe besnikë në aspektin politik.

Në kushtet kur autoriteti i tij është vënë haptazi në pikëpyetje, është e qartë se kjo strategji ka dështuar.

Për më tepër rebelimi i Prigozhin, për të cilin Putin thotë se e çoi vendin në “pragun e një lufte civile”, ka të ngjarë të shkatërrojë perceptimin e idealizuar të publikut rus mbi ushtrinë e tyre si një forcë heroike e bashkuar kundër një armiku të përbashkët.

Teksa fati i tij është tanimë i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me aftësinë e gjeneralëve të tij për të shmangur humbjen në Ukrainë, imazhi i Putin si një Car i gjithëfuqishëm ka pësuar një goditje potencialisht vendimtare.

Fakti që mercenarët e Prigozhin, arritën të pushtonin qytetet kryesore dhe selitë ushtarake pa rezistencë, nënvizoi atë që e dinin tashmë vëzhguesit e informuar:”perandoria” ruse është një entitet jofunksional, i shpërndarë në territore të gjera të banuara nga qindra grupe etnike, disa prej të cilave vetë-qeverisen.

Shtirja e saj e madhe, është një burim krenarie kombëtare por edhe një dobësi. Pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira, Putin duket i paaftë të sfidojë një ligj të hekurt të historisë: herët a vonë, të gjitha perandoritë bien.

Ëndrrat e tij megalomane dhe jorealiste për madhështinë perandorake ruse – dhe vajtimi i tij për “katastrofën që goditi Rusinë në vitin 1917” – mund të kenë gënjyer popullin rus, por regjimi i tij mbështetet tek disa aleanca të vështira midis elitave thellësisht të korruptuara civile dhe ushtarake.

Ndërsa një pjesë e këtij korrupsioni mund të gjurmohet që nga koha e Bashkimit Sovjetik, Putin e ka përkeqësuar problemin duke kultivuar rrjetin e tij të klientelizmit dhe nepotizmit.

Paradoksalisht, paaftësia e habitshme ushtarake e Rusisë në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria e saj e brendshme politike, ka të ngjarë të mos ndikojë tek dinamika në fushën e betejës apo në ekuilibrin gjeopolitik në përgjithësi.

Izolimi i Putinit vazhdon, por ai ruan aleancat e tij me Kinën dhe Iranin, dhe mund të shfrytëzojë ende qëndrimin neutral të Indisë ndaj luftës. Po ashtu mbetet i paprekur partneriteti i tij me Arabinë Saudite në fushën energjetike. Nuk ka asnjë dyshim se

ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar moralin tashmë të ulët të ushtrisë ruse.

Ndërsa Andrey Kartapolov, kreu i komitetit të mbrojtjes në parlamentit rus, e cilësoi shpërbërjen e Wagner si një “dhuratë” për NATO-n dhe Ukrainën, ushtria ruse nuk është domosdoshmërisht e dënuar ta humbasë luftën. Në fund të fundit, Putin mbetet ende nën kontrollin e arsenalit më të madh bërthamor në botë.

Dhe duke pasur parasysh perceptimin e rusëve për konfliktin në Ukrainë si një betejë ekzistenciale për kombin, Putin dhe rrethi i tij i brendshëm nuk ka gjasa ta pranojnë

 humbjen. Deri tani, presidenti rus e ka braktisur plotësisht personazhin e tij të mëparshëm

si një diplomat mendjemprehtë që përpiqet të pajtojë ambiciet e Rusisë me ndjeshmëritë perëndimore, duke u shndërruar në një avokat thuajse vetëvrasës të revanshizmit anti-perëndimor.

Pavarësisht nga rezultati, për Rusinë kjo nuk është një luftë e lavdishme. Veprimet e Prigozhin, kanë nxjerrë në pah paqëndrueshmërinë politike të vendit, dhe kanë nënvizuar pasojat potencialisht të rënda në rastin e një disfate të Rusisë në Ukrainë. Një vakum pushteti në Moskë, do të kishte pasoja të gjera në mbarë federatën.

Gjashtëmbëdhjetë muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, kushtet në terren ngjajnë me frontet e ngrira dhe të bllokuara të Luftës së Parë Botërore. Shumëkush shpreson se mund të negociohet një armëpushim, kur kundërofensiva ukrainase të ketë përfunduar vrullin e saj.

Por siç qëndrojnë gjërat aktualisht, konflikti duket i destinuar të evoluojë në një tjetër mosmarrëveshje të zgjatur kufitare, dhe ku zgjidhja kërkon ndryshime të rëndësishme politike. Në rast se ndodhin ndryshime të tilla, ato do të jenë me shumë mundësi po aq të papritura sa edhe kryengritja e Prigozhin fundjavën që kaloi. /albeu.com

Shënim:Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i jashtëm i Izraelit. Aktualisht zv/president i Qendrës Ndërkombëtare të Toledos për Paqe.


Shtuar 1.07.2023 13:45