Basha: PD do të modernizohet, rruga e vjetër nuk na çon askund

Kandidati për kreun e PD, Lulzim Basha ka vijuar turin e tij të takimeve me anëtarë e partisë në Tiranë.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se PD do modernizohet, do hapet dhe do bashkohet rreth vlerave, ndërsa shtoi se përballja brenda partisë duhet të marrë fund pasi kjo ndihmon vetëm kundërshtarët politikë.

Basha deklaroi se i zgjat dorën e bashkëpunimit kujtdo që sot sheh nga e ardhmja dhe që e ka të qartë se rrugët e vjetra nuk të çojnë askund.


Postimi i plotë:

Partia Demokratike do modernizohet, do hapet dhe do bashkohet rreth vlerave. Një parti ku do të vlerësohen kontributet e do të jetë e hapur për të rinjtë dhe të gjithë ata që ndajnë të njëjtat vlera me ne dhe që duan ta ndryshojnë Shqipërinë bashkë me ne.

Ndryshimi që kemi nisur në radhët tona, me vendime sa të vështira por po aq historike, është provë e gatishmërisë sonë për t’u përmirësuar, si instrumenti i vetëm që shqiptarët kanë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Përballja e gjatë dhe e vështirë brenda familjes sonë politike duhet të marrë fund, pasi koha provoi se ndihmon vetëm kundërshtarin tonë politik dhe duhet të përqëndrohemi tek hallet dhe problemet e shqiptarëve.

Ne nuk mund të humbasim kohë duke mbajtur kokën mbrapa, ndaj zgjasim dorën e bashkëpunimit ndaj kujdo që sot sheh nga e ardhmja dhe që e ka të qartë se rrugët e vjetra nuk të çojnë askund.

Në rrugëtimin tonë kemi zgjedhur të qëndrojmë pranë aleatëve dhe miqve të çmuar të shqiptarëve, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Europian dhe Britaninë e Madhe. Bashkë me ta dhe në aleancë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshim, ne do ta çlirojmë vendin nga sundimi i oligarkëve politikë dhe ekonomikë, do të heqim nga supet e shqiptarëve zgjedhën e sundimit të njëshave, zgjedhën e kastës tridhjetvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e mbajtjes dhe mbrojtjes së pushtetit personal.

Vizioni ynë është demokracia pjesmarrëse, kontrolli dhe balancimi i pushteteve, përfshirja e gjerë e anëtarëve të partisë, e qytetarëve, e intelektualëve, e spacialistëve, e sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në ndërtimin e ofertës politike, që na mundëson të federojmë gjithë faktorët opozitarë rreth projekteve dhe ideve që bashkëndajmë, në një kontrast të qartë me qeverisjen e korruptuar. Si alternativa më e mirë e jo si e keqja më e vogël.

Aleancë Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të çbejnë ato të 2008-ës, do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.


Shtuar 29.06.2023 19:15