NYT: 7 vjet pas vendosjes së UNMIK-ut duket se Kosovës do t’i lejohet dhe formalisht pavarësia
Albeu.com
Shtypi amerikan njofton për largimin e paralajmëruar, në fund të këtij muaji, të Shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, duke cituar atë se largohet për arsye familjare.Megjithatë, në disa rreshta mund të lexohen edhe arsye të tjera, si afrimi i tij më i madh se sa duhej me shqiptarët, miqësia me Ramush Haradinajn dhe kritikat që janë bërë për disa aspekte të punës së UNMIK-ut në Kosovë.

Botimi në New York i gazetës the Financial Times citon liderët opozitarë në Kosovë të cilët kanë deklaruar se Haradinaj ishte këshilltari më i afërt i Petersenit. Gazeta më tej thekson se në fjalën e tij të dorëheqjes, z. Petersen ka bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës, duke paralajmëruar tërthorazi pavarësinë e saj nga fundi i vitit, qoftë edhe të imponuar, kundër vullnetit të Beogradit. Po në këtë temë, gazeta amerikane The New York Times shkruan, se pas shtatë vjet të vendosjes së administratës së Kombeve të Bashkuara, gjithnjë e më tepër duket se Kosovës do t’i lejohet dhe formalisht shkëputja nga Serbia për t’u bërë shtet i pavarur. Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit duket se po anojnë kah lejimi i Kosovës të shkojë rrugës së saj. Këshilli i Sigurimit pritet të votojë për fatin e Kosovës kah fundi i vitit në rast se shqiptarët dhe serbët, të cilët tash disa muaj po zhvillojnë negociata të pasuksesshme, nuk arrijnë një marrëveshje. Gazeta thirret në qarqe të paemëruara diplomatike amerikane dhe britanike të afërta me bisedimet, të cilët deklarojnë se të vetmen zgjidhje që do ta pranojnë shqiptarët është pavarësia, mirëpo insistojnë që shteti i ri i Kosovës duhet të ofrojë garanci për popullatën pakicë serbe. Për statusin shkruan edhe gazeta tjetër amerikane, The Chicago Tribune e cila thekson se “kah fundi i vitit pritet që bashkësia ndërkombëtare t’i njoh pavarësinë shqiptarëve etnik të cilët përbëjnë shumicën absolute të popullsisë së Kosovës”. Kjo gazetë thekson se edhe serbët e Kosovës e dinë se Kosova po shkon drejtë pavarësisë, mirëpo ata jetojnë në mohim dhe sikur duan ende të besojnë se Beogradi disi do t’i shpëtojë nga situata. rtk
Shtuar më 13/06/2006, ora 13:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori