Ambasadorët e BE-së miratojnë tekstin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ambasadorët e Këshillit të BE-së kanë aprovuar tekstin e miratuar nga përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian.

Për këtë ka njoftuar Presidenca çeke e Bashkimit Europian, duke thënë se ky vendim e çon Kosovën një hap para.

“Ambasadorët e BE-së kanë aprovuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së. Presidenca çeke e Bashkimit Europian e çon Kosovën një hap më tej në rrugën e saj europiane”, thuhet në njoftim.

Procedura e radhës  bartet te përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilët duhet ta miratojnë këtë marrëveshje që u arrit nga përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian dhe për votim në Parlamentin Europian.

Pas miratimit të tekstit nga ambasadorët e BE-së, çështja e liberalizimit kthehet sërish në Parlamentin Europian për të votuar.

Më pas ambasadorët e BE-së do të duhet të votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave dhe po ashtu me shumicë të thjeshtë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian. Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar./Express/