Nxënësit e Kolegjit Hasan Riza Pasha, sërish përfaqësojnë Shqiperinë në I-SWEEEP
Kolegji "Hasan Riza Pasha" fiton sërish të drejtën e përfaqësimit në konkursin ndërkombëtar të projekteve I-SWEEEP që zhvillohet në Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Nxënësit Erid Çaku dhe Irildi Curri, të dy nxënës të vitit të fundit të kolegjit, do të përfaqësojnë Shqipërinë dhe shkollën e tyre me një projekt në fushën e bujqësisë. Ata do të provojnë se përdorimi i fushës magnetike në serat e bimëve, frutave dhe perimeve ndikon pozitivisht në rritjen e tyre.

Ishte pikërisht ky projekt që i bëri ata fitues të medaljes së artë në Olimpiadën Kombëtare të Projekteve(ASEF), organizuar në Tiranë (ASEF) me 20 Shkurt të këtij viti.

Në I-SWEEP Eridit dhe Irildit iu paraprin suksesi i shokëve të të njëtit kolegj, "Hasan Riza Pasha", Sheri Tuzit dhe Drini Draçinit, të cilët vitin e shkuar u kthyen në Shqipëri si fitues të Medaljes së Bronztë.

Prej disa muajsh, nën udhëheqjen dhe ndihmën e palodhur të mësuesit te Biologjisë, Cezmi Aktepe, skuadra po punon seriozisht dhe pretendon të marrë rezultate pozitive.

Ja intervista me dy nxënësit:

Çfarë është “I-SWEEEP”?
“I- SWEEEP” është shkurtimi për İnternational Sustainable World Energy Engineering Environment, një konkurs ndërkombëtar projektesh shkencore, që mbështet mbrojtjen e mjedisit dhe çdo risi që e favorizon atë. İ-SWEEEP zhvillohet në Houston(Texas,SHBA) dhe në të konkurrojnë nxënës nga mbi 65 vende të botës,me më shumë se 250 projekte të pranuara.

Si jeni kualifikuar për kompeticionin “I-SWEEEP”?
Fillimisht morëm pjesë në konkursin “ASEF” që zhvillohet në Tiranë nga Kolegjet Turke.Në kategorinë e shkencës fituam Medaljen e Artë dhe kjo medalje na kualifikoi automatikisht si përfaqësues të Shqipërisë në “I-SWEEEP”.

Për çfarë bën fjalë projekti juaj?
Projekti jonë studion efektin e fushave magnetike në procesin e fotosintezës tek bimët dhe ka dhënë rezultate mjaft të kënaqshme deri tani duke treguar efekte pozitive të fushave magnetike në zhvillimin e bimëve.

Si ju lindi kjo ide?
Po diskutonim në orën e Biologjisë për krizën në fushën e bujqësisë sa i takon ndërhyrjeve gjenetike, përdorimit të tepruar të pesticideve etj, si dhe nevojën që ka mjedisi dhe njerëzimi për mënyra ekologjike në rritjen dhe zhvillimin e bimëve.

Kush ju ka ndihmuar në realizimin e këtij projekti?
Shkolla jonë ka qenë e gatshme për të na ndihmuar duke na vënë në dispozicion laboratorin dhe mjete te tjera, por gjithashtu kemi pasur ndihmë të madhe edhe nga Universiteti i Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, që na mundësoi përdorimin e pajisjeve të avancuara.

Duam të falenderojmë në veçanti mësuesin tonë Cezmi Aktepe, që na ndihmoi në zhvillimin dhe përmirësimin e idesë,si dhe Prof. Anila Neziri nga Universiteti “ Luigj Gurakuqi”, e cila na udhëzoi në përdorimin e pajisjeve.

U ndamë nga Eridi dhe İrildi me ndjesinë e mirë që të japin të rinjtë e interesuar në shkencë e me projekte konkrete nëpër duar, duke iu uruar suksese të mëtejshme e duke shpresuar në një përfaqësim dinjitoz. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2016, ora 10:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori