"Nuse, nuse", e ben Janevskin ambasador!
Albeu.com
Ministria e Kulturës ka përzgjedhur ambasadorët e vitit të kulturës të cilët duhet ta prezantojnë Maqedoninë nëpër vende të ndryshme të botës. Por si zakonisht, nga kjo ministri nuk kanë emëruar asnjë artist shqiptarë.
Sipas njerëzve të artit, shoqatave dhe organizatave të ndryshme ky veprim i ministrisë në krye me Elizabeta Kamçevskan është edhe një diskriminim direkt i popullit shqiptar në Maqedoni. “Është turp që në shekullin 21 ende ka diskriminime në kulturë. Pa marrë parasysh se cila parti shqiptare është në qeveri, ne prapë se parë jemi zero. Ministria e kulturës me këtë përzgjedhje të ambasadorëve dëshmon këtë diskriminim që po i bëhet popullit tonë”, tha fillimisht Imer Bajrami, kryetar i shoqatës Art Vizion. Problemi sipas Bajramit është thjesht vetëm diskriminim i qëllimshëm, pasi ka mjaft artistë shqiptarë të cilët e meritojnë ta bartin këtë epitet. “Edhe ne kemi mjaft artist të shquar shqiptarë që janë të njohur në vend dhe jashtë, por megjithatë ata nuk janë vlerësuar nga ministria e kulturës si të aftë për titullin e ambasadorit”, tha Bjarami. Ai gjithashtu ka pohuar se deri më tani asnjë galeri në Maqedoni nuk ka drejtor shqiptarë. “Jo vetëm që nuk ka të punësuar në drejtori apo administratë, por gjithashtu shqiptarë nuk janë pjesë as edhe e personelit të kujdesit higjienik, që dëshmon që në çfarë shkalle ka arritur ky diskriminim”, përfundoi Bajrami.

Ministria e Kulturës sa për befasi të shqiptarëve, ka vendosur ta shpërblejë këngëtarin Vllado Janevski, i cili publikisht i nënçmoi shqiptarët në natën e Vitit të Ri. “Mjaft ishte kënga nuse, nuse për shqiptarët. Kjo u takon sipas Marrëveshjes së Ohrit”, ishin fjalët e Janevskit në atë mbrëmje, ndërsa si shpërblim të patriotizmit dhe nacionalizmit të shfaqur maqedonas shpërblehet me titullin e ambasadorit të kulturës në Kroaci.

“Veprimi i fundit i ministrisë së kulturës dëshmon edhe njëherë albanofobinë dhe asgjësimin e trashëgimisë kulturore pasi që asnjë shqiptar nuk është përzgjedhur si ambasador i kulturës. Kurse Vllado Janevski , këngëtari maqedonas që shprehi lirshëm urrejtjen ndaj shqiptarëve, shpërblehet me titullin ambasador i kulturës në Kroaci”, tha Artan Grubi, kryetar i lëvizjes qytetarë “Zgjohu!”.

Ashpër ka reaguar edhe shoqata e historianëve shqiptarë në Maqedoni. “Kjo është përbuzje ndaj popullit shqiptar nga persona të cilët jetojnë në Maqedoninë e shekullit XXI, por mendjen e kanë në kohën e gurit. Këto tendenca janë për tu gjykuar, sepse japin porosi se kjo shoqëri është e sëmurë dhe urgjentisht duhet të shërohet. Këngëtari Janevski në vend se të ndëshkohet, ai shpërblehet”, tha nënkryetari i SHHSHM, Skënder Hasani. Sipas tij, kjo sëmundje dhe urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, vjen për shkak të inatit që kanë maqedonasit pasi shqiptarët kanë kulturë mijëravjeçare të njohur nga e gjithë bota.

Përveç, Janevskit në mesin e nëntë ambasadorëve të kulturës ka edhe artistë të tillë që nuk janë të kalibrit botëror që zakonisht nevojitet për të bartë këtë titull.

 
Ambasadorët e përzgjedhur të kulturës:

Ivo Trajkov, regjisor – ambasador i kulturës në Çeki- Pragë

Milço Mançevski, regjisor – ambasador i kulturës në SHBA- Nju Jork

Goran Stefanovski, dramaturg – ambasador i kulturës në Angli – Londër

Zafir Haxhimanov, kantautor dhe shansioner- ambasador i kulturës në Serbi – Beograd

Elena Misirkova, pianiste – ambasadore i kulturës në Austri – Vjenë

Ivan Popovski , regjisor – ambasador i kulturës në Rusi – Moskë

Snezhana Popovska, pedagoge e pianos – ambasadore e kulturës në Malezi – Kuala Lumpur

Bllagoj Hacoski, tenor – ambasador i kulturës në Itali – Romë

Vllado Janevski, këngëtar –ambasador i kulturës në Kroaci - Zagreb
(lajm)
Shtuar më 11/01/2010, ora 20:09
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori